Ndonëse ishte kritikuar për “mbipopullim”, Radiotelevizioni i Kosovës në projeksionin buxhetor për vitin 2022 ka parashikuar rekrutimin edhe të 98 punëtorëve, për të cilët do të ndahen 536 mijë e 631 euro.
Ky projeksion, i cili është miratuar në bordin e RTK-së, ka paraparë që të ketë të hyra 10 milionë e 537 mijë euro. Nga to 8 milionë e 960 mijë euro të ndara nga buxheti i Kosovës.
Në projeksion-buxhetin e RTK-së thuhet se 8 milionë e 854 mijë euro do të shkojnë për paga, kontrata kolektive, mëditje, kontributet dhe tatime.
2 milionë e 240 mijë euro më pak i ka ndarë Qeveria e Kosovës RTK-së për vitin 2022.
RTK-ja për vitin 2021 kishte pasur 11.2 milionë euro buxhet për të shpenzuar.
Më 19 janar bordi i RTK-së kishte shkarkuar drejtorin gjeneral, Ngadhnjim Kastrati. Në arsyetimin e vendimit për shkarkim thuhet se Kastrati kishte dështuar për tre vite rresht të hapë konkurse për të rekrutuar punëtorët e nevojshëm për funksionim siç duhet të RTK-së.
Gjatë vitit të kaluar deputetët kishin kritikuar numrin e madh të punëtorëve në RTK.
Në atë kohë drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, kishte thënë para Komisionit për buxhet se planifikon të rrisë numrin e të punësuarve në RTK.
Sipas të dhënave nga projeksioni buxhetor për vitin 2022 në RTK janë rreth 760 punëtorë.
KALLXO.com ka kërkuar të dhëna nga mediat vendore në lidhje me numrin e punëtorëve.
Dardan Belegu, drejtor i Radio Televizionit të Dukagjinit, ka thënë për KALLXO.com se në këtë media punojnë 146 persona.
Ndërsa, Eugen Saraqini nga Media 21 ka thënë se kanë 186 punëtorë.
“Në kuadër te Media 21, operojnë 6 kanale televizive, web faqe, portal”, theksoi ai për KALLXO.com
Ndërkaq sipas një publikimi të vitit të kaluar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, Grupi Koha ka 253 të punësuar.
Sipas të dhënave nga ARBK, Klan Kosova ka 190 punëtorë ndërsa Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, (BIRN) ka rreth 70 të punësuar.
Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës ka deklaruar gjatë javës së kaluar se rreth 150 persona janë duke punuar pa kontrata pune në këtë institucion tash e 21 ditë.
Sipas kësaj Sindikate cilido veprim i bordit të RTK-së do të jetë shkelje ligjore për shkak se nuk ka dhënë përgjigje me kohë për këtë çështje.
Ndërsa KALLXO.com i ka dërguar Radiotelevizionit të Kosovës pyetje nëse të njëjtëve u është vazhduar kontrata por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi pranuar përgjigje.