Rrjeti i Organizatave Kulturore në Prizren (RrOK) mbajti një punëtori dy-ditore për përgatitjen e strategjisë së re të rrjetit për 5 vitet e ardhshme.
Punëtoria u zhvillua në hapësirat e Autostrada Hangar në ITP Prizren, në një atmosferë bashkëpunimi dhe reflektimi mbi drejtimet e ardhshme të zhvillimit të sektorit kulturor në qytet.
Sipas njoftimit, gjatë këtyre dy ditëve u diskutuan rrethanat e reja në të cilat operojnë organizatat kulturore, si dhe u identifikuan një sërë aktivitetesh dhe hapash konkretë që do të shërbejnë si bazë për hartimin e strategjisë dhe planit operativ të RrOK.
Siç bëhet e ditur, diskutimet përfshinë tema si zhvillimi i audiencave, avokimi për politika kulturore, koordinimi i kalendarit të përbashkët, si dhe forcimi i bashkëpunimeve ndërmjet organizatave dhe institucioneve.
Në njoftim bëhet e ditur se në sesionet e dedikuara për partneritete ndërinstitucionale morën pjesë edhe zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, dhe drejtoresha e Kulturës në Prizren, Ajlin Shishko Hajdari, të cilat ndanë me pjesëmarrësit zhvillimet aktuale në institucionet përkatëse dhe diskutuan mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm.
“Punëtoria shënon një hap të rëndësishëm drejt finalizimit të strategjisë së re të RrOK, e cila synon të përkthejë këto ide në veprime konkrete dhe të qëndrueshme për vitet në vijim. Falënderojmë Autostrada Biennale për ofrimin e hapësirave dhe mikpritjen e stafit të tyre, si dhe të gjithë përfaqësuesit e organizatave anëtare që morën pjesë dhe kontribuan në këto diskutime” – thuhet në fund të njoftimit të RrOK.