Organizata Botërore e Shëndetësisë ka alarmuar lidhur me rritjen e rasteve të fruthit në rajon dhe Evropë. Pavarësisht kësaj, në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara me fruth. Institucionet e shëndetësisë apelojnë për vaksinim të fëmijëve.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik po mbikëqyr vazhdimisht situatën sa i përket përhapjes së fruthit. Kjo, pas rritjes së kësaj sëmundjeje ngjitëse në rajon e Evropë. Deri më tash, në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara.
“Instituti Kombëtar përcjell ne vazhdimësi situatën epidemiologjike me të gjitha sëmundjet ngjitëse dhe jo ngjitëse. Kosova është e ruajtur nga sëmundjet e fruthit për shkak të suksesit të imunizimit kundër fruthit dhe sëmundjeve tjera. Për shkak se Kosova është e mbrojtur, nuk kemi asnjë rast të fruthit dhe sigurisht kjo do të përcillet në vazhdimësi”, thotë Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së për RTK-në.





