Ministria e Shëndetësisë ka apeluar te qytetarët që të rrisin kujdesin, të bartin maskat në ambiente e mbyllura dhe ku ka grumbuj të njerëzve, pas rritjeve të rasteve me COVID-19 dhe shtrimeve në spital si pasojë e infeksionit.
Sipas njoftimit të MSH-së të premten, qytetarët duhet të rrisin kujdesin dhe të zbatojnë masat anti-COVID që janë fuqi. U bëhet thirrje personave mbi 60-vjeç ta marrin edhe dozën e katërt të vaksinës.
“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, ministri Latifi u bën thirrje qytetarëve që të rrisin kujdesin, të zbatojnë masat në fuqi kundër COVID-19, të përditësuara së fundi më 30 prill 2022 dhe t’u përgjigjen thirrjeve për vaksinim kundër COVID-19, duke përfshirë edhe marrjen e dozës së katërt, që është lejuar për personat mbi 60 vjeç, të cilat e kanë marrë dozën e tretë së paku katër muaj më parë. Në veçanti, i bëhet thirrje kësaj grup-moshe dhe personave me imunitet të komprometuar, që të shmangin qëndrimet në ambiente ku ka grumbullim të njerëzve, përderisa rekomandohet bartja e maskës në ambiente të mbyllura dhe vaksinimi për grup-moshat e lejuara që të vaksinohen”, thuhet në njoftim.





