Home LAJME Rritja e kostos ul sipërfaqet e mbjella me grurë në Komunën e Malishevës

Rritja e kostos ul sipërfaqet e mbjella me grurë në Komunën e Malishevës

0
Rritja e kostos ul sipërfaqet e mbjella me grurë në Komunën e Malishevës

Një traktor është duke punuar në një sipërfaqe të madhe tokash private në Drenoc të Malishevës. Shumë prej tyre djerrina ose gjysmë të mbjella. Traktoristi Agush Krasniqi thotë se rritja enorme e çmimeve të farës, plehrave dhe derivateve të naftës ka bërë që sipërfaqet e mbjella të përgjysmohen.

“Vjet kam mbjellë 6 hektarë grurë, sivjet po mendoj dy hektarë e gjysmë, ose më së shumti 3 hektarë”, thekson ai për KOHËN, duke treguar se edhe barrierat dhe vështirësitë që ka vënë këtë vit Ministria e Bujqësisë në marrjen e subvencioneve ka ndikuar në rënien e interesimit, por edhe në rënien e mundësive të fermerëve.

E Ahmet Mazreku nga Malisheva për të njëjtat shkaqe sivjet nuk ka mbjellë fare. Ai është ndër fermerët më të mëdhenj në zonë.

“Vitin e kaluar i kam pasur të mbjella mbi 100 hektarë me grurë e sivjet zero hektar”, thotë ai për KOHËN. “Rritja e çmimeve e ka bërë të veten, por mua më kanë dëmtuar më së shumti politikat qeveritare për fermerët pasi jemi të shkelur në punën tonë unë jam detyruar vitin e kaluar të dorëzoj grurin tim për 18 centë kilogramin”, shprehet Mazreku.

Ai ankohet edhe për vështirësitë që janë vënë për subvencionimin e punës së fermerëve.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Malishevës, Murat Hoxha, është i njoftuar me vështirësitë e fermerëve në mbjelljet vjeshtore.

“Mbjelljet vjeshtore nuk kanë shkuar mirë, rritja e çmimeve, problemet me subvencione e kanë bërë të veten dhe sipërfaqet e mbjella janë më të pakta këtë vjeshtë”, thotë Hoxha për KOHËN.

Ai veçon një rast konkret ku për shkak të vështirësive të përmendura një fermer, i cili vitin e kaluar ka pasur të mbjella 60 hektarë me grurë sivjet ka mbjellë vetëm 12 hektarë.

Shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Malishevës, Milaim Morina, njofton për KOHËN se këtë vit në territorin e kësaj komune është planifikuar të mbillen me të mbjella vjeshtore 3 mijë e 746 hektarë gjithsej, nga këto me grurë 3 mijë e 628 hektarë tërshërë dimërore, 46 hektarë elb dimëror, 43 hektarë, bimë foragjere, 23 hektarë dhe thekër 6 hektarë.

Ndonëse ka bërë me dije se afati optimal i të mbjellave vjeshtore është muaji tetor, ka thënë se realizimi i planit të të mbjellave nuk mund të dihet tash për tash, pasi fermerët mund të shfrytëzojnë për të mbjella çdo kohë të përshtatshme edhe më tej.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here