Vetëm gjatë ditës së sotme, u shënuan mbi 1600 raste të reja me koronavirus, duke e dërguar numrin total të rasteve aktive në 20 mijë, raporton Gazeta Blic.
Kjo shifër e lartë e të infektuarve dhe rasteve aktive, ka bërë që shumë persona të shtrihen në Klinikën Infektive, për t’u kuruar nga infektimi me koronavirus.
Mirëpo, a rrezikon Kosova të mos ketë kapacitete spitalore për t’i trajtuar të gjithë pacientët e infektuar?!
Drejtori i SHKUK-së, Valbon Krasniqi, në një përgjigje për ‘Gazeta Blic’ tregoi se ende ka shtretër të lirë në Klinikën Infektive.
Madje, Krasniqi theksoi se në momentin kur të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet brenda Klinikës Infektive, ata do të vazhdojnë mbushjen e klinikave tjera.
“Ne për çdo ditë raportojmë për numrin e të spitalizuarve në QKUK dhe nëpër spitale. Në QKUK ka kohë që kemi hapur edhe klinika tjera për COVID, natyrisht Klinika Infektive është e para që mbushet me pacientë, pastaj vazhdojm me klinika të tjera”, deklaron Krasniqi.





