Numri i rasteve me kancer të gjirit të trajtuara në Klinikën e Kirurgjisë Torakale ka shënuar rritje këtë vit, me 73 operime krahasuar me 55 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas drejtorit Nazmi Kolgeci, kanceri i gjirit mbetet një nga sëmundjet më të shpeshta që trajtohen në këtë klinikë dhe trendi është në rritje krahasuar me vitin paraprak.
“Si gjithëherë, numri i sëmundjeve më të shpeshta që ne i trajtojmë janë sëmundjet e kancerit të gjirit, që faktikisht është një sëmundje që në kohët e fundit quhet si sëmundja e shekullit. Dhe në qoftë se e bëjmë një krahasim me vitin e kaluar me këtë vit, numri është më i madh këtë vit. Domethënë për periudhën e ngjashme vitin e kaluar kemi pas 55 raste që i kemi kaluar me kancer të gjirit dhe që i kemi operuar ndërsa këtë vit kemi me 73 raste. Domethënë është diku rreth 15 raste më shumë sesa vitin e kaluar”, tha ai.
Ai thekson se në klinikë po aplikohen metoda bashkëkohore trajtimi, përfshirë metodën “sentinel”, e cila nuk përdoret gjerësisht në rajon, por në Kosovë po zbatohet me sukses.
Sa i përket listave të pritjes, Kolgeci ka deklaruar se ato janë të shkurtra, rreth tre javë nga diagnostikimi deri te ndërhyrja, ndërsa pacientët me kancer trajtohen me prioritet.
“Lista e pritjes ekziston çdo kund në botë edhe ne e kemi një listë të pritjes, po lista e pritjes është jashtëzakonisht e vogël. Nga momenti që diagnostikohen deri në momentin kur realizohet intervenimi kirurgjik është rreth 3 javë, që është e mjaftueshme për pacientin që të përgatitet edhe me analizat e tjera të cilat janë të nevojshme, siç janë scintigrafia apo analizat e tjera që janë të domosdoshme për intervenim kirurgjik. Normalisht në këtë fazë këta pacientë përgatiten edhe nga ana e pulmologut, edhe nga ana e kardiologut sepse është e nevojshme që para intervenimit kirurgjik t’i kemi edhe konsultat e këtyre mjekëve. Më gjatë unë po ju them se në vendet e tjera, në shtetet e perëndimit ekziston lista, unë mendoj që është shumë më e gjatë sesa te ne”, tha ai./EO