Çmimi i naftës në Kosovë ka shënuar rritje, duke arritur në 1.72 euro për litër, nga 1.69 euro sa ishte një ditë më parë. Kjo është rritja më e lartë e regjistruar që nga muaji maj.
Sipas çmimeve të publikuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një litër benzinë do të tregtohet me 1.51 euro, ndërsa çmimi i gazit mbetet i pandryshuar, në 0.60 euro për litër.
Kujtojmë se çmimi më i lartë i naftës në Kosovë që nga përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme u regjistrua më 9 prill, kur një litër naftë shitej për 1.91 euro.
Pas arritjes së armëpushimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kishin shënuar rënie. Megjithatë, zhvillimet e fundit në rajon kanë ndikuar sërish në tregjet globale, pas rikthimit të sulmeve dhe mbylljes së përsëritur të Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.
Ekspertët vlerësojnë se zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme vazhdojnë të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në luhatjet e çmimeve të derivateve të naftës në tregjet ndërkombëtare, duke reflektuar më pas edhe në tregun e Kosovës.
