LAJME

Rriten rastet e dhunës në familje, për nëntë muaj raportohen 1819 raste

Rriten rastet e dhunës në familje, për nëntë muaj raportohen 1819 raste
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Tetor 2021, 09:34

Nuk ka ditë që në Kosovë në raportin 24 orësh të Policisë, nuk raportohet për raste të dhunës.

Si zakonisht numër më i madh i rasteve të raportuara janë kur burrat kanë ushtruar dhunë ndaj grave, shkruan FrontOnline.

Por, këtij raportimi të Policisë, ka ditë kur nuk i shpëtojnë as meshkujt të cilët kanë pranuar dhunë fizike nga gratë e tyre.

Lidhur me këto raste FrontOnline, ka kërkuar përgjigje edhe në Policinë e Kosovës.

Sipas statistikave të Policisë, numri i rasteve nga viti 2018 ka shënuar ngritje.

Derisa në vitin 2018 janë raportuar një mijë e 533 raste në vitin 2021 vetëm për nëntë muaj kanë qenë një mijë e 819 raste të dhunës në familje, shkruan FrontOnline.

Kurse, në vitin 2019 në Polici janë raportuar një mijë e 914 raste deri sa në vitin 2020 dy mijë e 69 raste.

Gjithmonë sipas të dhënave të Policisë të dërguara për FrontOnline, numri total i viktimave në vitin 2018 ka qenë një mijë e 562 ku prej tyre një mijë e 228 kanë qenë femra dhe 334 meshkuj.

Për 410 viktima më shumë është rritur numri në vitin 2019 në krahasim me vitin 2018.

Kanë qenë gjithsej një mijë e 978 viktima që janë përfshirë në raste të dhunës, ku nga ky numër një mijë e 593 kanë qenë femra dhe 385 meshkuj.

E, numër më i madh i rasteve kur viktima kanë qenë femrat dhe meshkujt është regjistruar në vitin 2020.

Kanë qenë gjithsej dy mijë e 101 raste, ku prej tyre një mijë e 636 kanë qenë femra dhe 465 meshkuj.

Policia e Kosovës për FrontOnline ka bërë të dituar edhe statistikat për nëntë mujorin e këtij viti.

Sipas policisë nga muaji janar e deri në shtator viktima të dhunës në familje kanë qenë një mijë e 845 persona.

Prej tyre 408 meshkuj e një mijë e 437 femra.

Ndërsa, në Policinë e Kosovës nuk kanë treguar se sa persona janë arrestuar për këto raste.

Ata kanë thënë se Policia të gjitha rastet e raportuara i trajton me seriozitet, dhe se për këtë kanë realizuar edhe fushata vetëdijësuese.

“Policia e Kosovës që nga themelimi i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është si parandalimi për dhunën në njërën anë dhe si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet , ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, thuhet në përgjigjen e Policisë, për FrontOnline.

Sipas Policisë, rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë./FrontOnline

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika