Epidemiologu Ilir Alimehmeti foli sot për rritjen e ndjeshme të rasteve të reja me koronavirus në Shqipëri, ku ditët e fundit numri ka shkuar pranë 300 personave aktivë në 24 orë.
Epidemiologu theksoi se koronavirusi nuk do të zhduket ndonjëherë, por e rëndësishme është se çdo valë që vjen është më e lehtë, pavarësisht infektimeve që mund të jenë edhe më të larta.
“E para Covid-19 nuk ikën, nuk do të zhduket ndonjëherë. Ajo që ndryshon është përshtatje me të. Kemi një situatë ku kemi një nënvariant të Omicron, i cili në Europë ai po shtohet. Nuk janë shifrat e rasteve pozitive ku duhet ta kemi vëmendjen. Nën varianti BA5 i Omicron është aktualisht aktiv dhe së shpejti do të bëhet dominante. Kjo nuk është diçka e re, pasi kjo valë ka nisur në Afrikën e Jugut, nga ku shihet se shkalla e shtrimeve në spital nuk është rritur. Kemi edhe Portugalinë, ku situata ishte e njëjtë”, tha epidemiologu për A2 CNN.





