Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që vrasjet e grave të hetohen dhe trajtohen në kontekstin e dhunës me bazë gjinore, duke theksuar nevojën për një përkufizim ligjor të femicidit dhe krijimin e një mekanizmi për monitorimin e këtyre rasteve.
Në një opinion të publikuar pas vrasjes së një gruaje në Gjilan, Adelina Berisha, Drejtore e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në RrGK, ka thënë se ky rast rikujton urgjencën që Kosova ta trajtojë femicidin si fenomen të rrënjosur në pabarazinë gjinore dhe marrëdhëniet e pushtetit.
Sipas saj, edhe pse legjislacioni në Kosovë e njeh gjininë si rrethanë rënduese, kjo nuk mjafton nëse vrasjet e grave nuk hetohen duke marrë parasysh kontekstin e dhunës dhe rrethanat që u kanë paraprirë.
Berisha ka theksuar se Kosovës i duhet një përkufizim ligjor i femicidit dhe një mekanizëm Femicide Watch, i cili do të mundësonte monitorimin dhe analizimin sistematik të rasteve, identifikimin e dështimeve institucionale dhe parandalimin e vrasjeve të ardhshme.
Ajo ka thënë se këto masa janë në përputhje me frymën dhe kërkesat e Konventës së Stambollit për parandalimin e dhunës ndaj grave, mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të kryerësve.
Në opinion, Berisha ka theksuar gjithashtu se mungesa e raportimit paraprak të dhunës nuk duhet të jetë arsye që institucionet të mos e trajtojnë një rast me seriozitet.
“Një grua nuk duhet ta ketë raportuar dhunën që ajo të merret seriozisht nga drejtësia. Mungesa e një raportimi paraprak nuk është dëshmi e mungesës së dhunës”, thuhet në opinion.
Sipas saj, institucionet duhet të hetojnë historikun e marrëdhënies, kërcënimet, kontrollin dhe format e tjera të mundshme të dhunës, në mënyrë që përvojat e gruas para vrasjes të merren parasysh gjatë hetimit dhe përcaktimit të përgjegjësisë penale.
Berisha ka theksuar se drejtësia nuk duhet të kufizohet vetëm në momentin e vrasjes, por duhet të shqyrtojë të gjithë kontekstin e dhunës dhe çdo dështim institucional që mund të ketë kontribuar në humbjen e jetës.
Në fund të opinionit, RrGK u ka bërë thirrje qytetarëve, organizatave dhe institucioneve që më 25 nëntor t’i bashkohen protestës gjithëpopullore kundër vrasjes së grave dhe dhunës me bazë gjinore.
“Le ta kthejmë solidaritetin në veprim dhe të kërkojmë drejtësi, llogaridhënie dhe masa konkrete për parandalimin e femicideve”, thuhet në thirrjen e RrGK-së.






