Ministrja e Drejtësisë dhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje për luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, me rastin e hapjes zyrtare të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Në mesazhin e saj, Gërvalla ka theksuar se dhuna është një fenomen që kapërcen kufijtë dhe dallimet kulturore, ndërsa luftimi i saj kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.
Ajo ka rikujtuar se dhuna nuk nënkupton vetëm sulmin fizik, por përfshin edhe kërcënimin, kontrollin, poshtërimin dhe frikësimin, duke theksuar se askush që ushtron dhunë nuk mund të konsiderohet i fortë.
Gërvalla ka bërë të ditur edhe shifrat shqetësuese të dhunës në Kosovë. Sipas saj, nga viti 2019 deri në tetor të vitit 2026 janë regjistruar gjithsej 19 mijë e 916 raste të dhunës në familje, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë vrarë 33 gra.
Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht viktimave të dhunës, që të mos heshtin dhe të mos e tolerojnë këtë fenomen, duke theksuar rëndësinë e raportimit të çdo rasti dhe reagimit të menjëhershëm të institucioneve.
“Mos jetoni nën kërcënimin e dhunës. Mos heshtni, mos e arsyetoni dhe mos e toleroni atë”, ka apeluar Gërvalla.
Me mesazhin “Raporto dhunën! Raporto dhunuesin!”, ministrja ka theksuar se lufta kundër dhunës nuk duhet të kufizohet vetëm në 16 ditët e fushatës ndërkombëtare, por duhet të jetë angazhim i përditshëm dhe i pandërprerë i të gjithë shoqërisë.
“16 ditët e kësaj fushate janë një thirrje për ndërgjegjësim, por lufta kundër dhunës nuk ka kalendar. Ajo duhet të jetë pjesë e angazhimit tonë çdo ditë, pa përjashtim”, ka përfunduar Gërvalla.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.