Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët dhe institucionet për një email mashtrues që po shpërndahet në adresa të ndryshme elektronike, duke u paraqitur rrejshëm në emër të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Siguri Kibernetike.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, emaili mban titullin “Raport: Krim Kibernetik/Droga të Paligjshme” dhe pretendon se pranuesit janë përfshirë në aktivitete të paligjshme në internet, përfshirë krime të ndryshme kibernetike dhe trafikim të drogës.
Në këtë mesazh mashtrues, dërguesit pretendojnë se personat kanë vetëm 24 orë kohë për t’u paraqitur në polici ose për të dërguar një përgjigje me email, në të kundërtën kërcënohen me arrestim të menjëhershëm.





