Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për blerjen e ndërtesave të dy misioneve diplomatike.
Me këtë vendim kjo ministri fillon zyrtarisht procesin për blerjen e ndërtesave të ambasadave të Republikës së Kosovës në dy kryeqendra botërore, Washington D.C. të ShBA-së dhe Londër të Mbretërisë së Bashkuar.
“Bazuar në orientimin strategjik për konsolidimin e prezencës së Republikës së Kosovës në këto kryeqendra dhe në strategjinë gjithëpërfshirëse për reformim, ri-strukturim si dhe rritje të nivelit të përfaqësimit të Kosovës përmes shërbimit të Jashtëm, MPJD në këtë vit fiskal, ka ndarë buxhetin prej tetë milion e nëntëqind e njëzet e shtatë mijë e shtatëqind e njëzet e një euro (8,927,721. 00 €) për blerjen e ndërtesave të ambasadave”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Punëve të Jashtme./FrontOnline