Mbi 60,000 persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës që nga viti 2009, ka bërë të ditur Liridon Neziri, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB.
Neziri ka sqaruar se në këtë shifër nuk hyjnë vetëm persona që lëshojnë Kosovën, por edhe qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të BE-së, apo vende të tjera, e të cilëve shteti ku jetojnë, nuk ua pranon dyshtetësinë.
“Në vitin 2009 është themeluar Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion dhe prej atëherë, mbi 60,000 persona kanë hequr dorë nga shtetësia. Numri i përgjithshëm për çdo vjet sillet rreth 5,000-6,000 që heqin dorë nga shtetësia. Kemi një numër të madh të diasporës në vendet e BE-së, të cilat nuk lejojnë dy shtetësinë. Po flasim për njerëzit që janë larguar në vitet e 90-ta. Po flasim për një kategori të njerëzve që tashmë janë integruar në BE. Ata janë shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët nuk jetojnë në territorin e Kosovës. Pjesa më e madhe e atyre personave që kërkojnë heqje dorë nga shtetësia e Kosovës, mbi 50% janë që kanë lindur në ndonjë vend evropian”, ka sqaruar Neziri në “60 minuta” të KTV-së.





