Rreth 40 mijë raste të gripit sezonal janë regjistruar nga 2 tetori e deri më 7 janar, ka konfirmuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që ka lajmëruar se vetëm në javën e parë të vitit 2024 janë raportuar mbi 5700 raste dhe se kjo paraqet kalimin e pragut epidemik.
“Bazuar në të dhënat nga mbikëqyrja permanente e situatës epidemiologjike përmes hulumtimit aktiv dhe pasive të institucioneve shëndetësore dhe në terren për Influenzën sezonale (ILI), për Infeksionet respiratore akute (ARI) dhe Infeksionin e rëndë respirator akut (SARI), IKSHPK bën të ditur se intensiteti i Influencës sezonale (Gripit) sipas numrit të rasteve të raportuara për javën e parë të vitit 2024 paraqitet në aktivitetin e lartë të qarkullimit, ka shënuar rritje dhe e ka kaluar pragun epidemik”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Pos 40 mijë rasteve me grip, janë regjistruar edhe gati 5 mijë raste të infeksioneve respiratore akute dhe 67 raste me infeksion të rëndë respirator.





