Qytetarët nga Kosova po i bëjnë sfidë pandemisë kur vjen puna për të udhëtuar në Shqipëri. Masat më të lehta kufizuese për pandeminë në Shqipëri, krahasuar me ato që ka marrë qeveria e Kosovës, por edhe moti i mirë me diell e temperatura relativisht të larta ka bërë që mijëra qytetarë nga Kosova të zgjedhin të kalojnë fundjavën në Shqipëri.
Pika kufitare e përbashkët e Morinës ka pasur një fluks të lartë mjetesh duke krijuar edhe radhë të gjata. Policia kufitare në Morinë e ka konfirmuar se duke filluar nga ora 9 e mëngjesit të së shtunës kanë kaluar në Shqipëri rreth 1.700 automjete dhe rreth 4.700 qytetarë të Kosovës drejt Shqipërisë.
Befasia ka qenë muaji tetor, ku shifrat e vizitorëve nga Kosova në Shqipëri kanë njohur një rritje me 35.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar, kohë në të cilën jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota nuk ka qenë e përfshirë nga COVID-19, raporton KOHA.





