Home LAJME Rreth 300 punëtorë shëndetësorë janë vaksinuar sot

Rreth 300 punëtorë shëndetësorë janë vaksinuar sot

0
Rreth 300 punëtorë shëndetësorë janë vaksinuar sot

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se rreth 300 persona – që janë kryesisht personel shëndetësor – janë vaksinuar gjatë ditës së sotme.

“Sot vaksinimi është zhvilluar në dy qendra të vaksinimit – në Sallën 1 Tetori ku janë vaksinuar punëtorët e kujdesit parësor shëndetësor të Komunës së Prishtinës dhe qendra e dytë e vaksinimit ka qenë Klinika Infektive ku janë vaksinuar personeli shëndetësor i Klinikës Infektive dhe një numër i konsiderueshëm i shërbimeve të tjera që kryejnë punë në Klinikën Infektive”.

“Deri në ora 14:00 në Klinikën Infektive kanë qenë rreth 100 persona të vaksinuar, derisa deri në orën e njëjtë në Sallën 1 Tetori janë vaksinuar mbi 100 persona. Mund të themi se sot diku nga 250-300 persona, kryesisht personel shëndetësor, i janë nënshtruar procesit të marrjes së dozës së parë të vaksinës kundër COVID-19”.

Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se procesi i vaksinimit do të vazhdojë ditëve në vijim ku presin një intensitet më të shtuar.

“Presim që brenda disa ditëve ose javëve ta përmbyllim krejt procesin e vaksinimit të të gjithë punonjësve shëndetësorë në Kosovë, pasi ata janë kategori prioritare dhe pasi do të administrohet nga një dozë prej 24 mijë dozave në dispozicion i bie që të gjithë punonjësit shëndetësorë do të mund ta marrin dozën e parë të vaksinës”.

“Procesi ka shkuar shumë mirë dhe gjithçka ka qenë në skenarët që ne i kemi parashikuar. Ajo që na gëzon më së shumti është që personeli shëndetësor ka treguar gatishmëri për t’u vaksinuar duke dërguar mesazh edhe te popullata që vaksina është e sigurt dhe është mënyra më e mirë për ta parandaluar përhapjen e COVID-19”.

Hoti iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos paraqiten te Qendrat e Vaksinimit pa u ftuar paraprakisht, derisa ka thënë se tashmë është në dispozicion platforma elektronike – https://ekosova.rks-gov.net/ – ku qytetarët mund të regjistrohen për ta marrë vaksinën kundër COVID-19 kur t’iu vijë radha (varësisht nga kategoria ku bëjnë pjesë).

Por, a është vaksinuar vetë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë?

“Unë kam qenë i prekur nga COVID-19 dhe do të vaksinohem në mundësinë e parë. Si personel i Ministrisë së Shëndetësisë do të doja që të shoh më shumë të tjerë duke u vaksinuar sesa ne, por në momentin e parë që më ofrohet kjo mundësi do ta bëj pa asnjë hezitim”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here