Rreth 29 mijë qytetarë të Kosovës, gjatë dy ditëve të fundit, më 10 dhe 11 prill, kanë kaluar kufirin e Kosovës në drejtim të Shqipërisë, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Lëvizjet e tilla të qytetarëve dhe qëndrimi i tyre eventual në masë, sipas drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, potencialisht mund ta rëndojnë situatën me pandeminë e koronavirusit në vend.
Ky fluksi i qytetarëve të Kosovës drejt Shqipërisë, gjatë fundjavës, është bërë në kohën kur në Kosovë janë duke u aplikuar masat e Qeverisë për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit, ku janë të përfshira edhe kufizimi i i lëvizjes së lirë prej orës 22:00 e deri në 5:00, përveç në raste urgjente.
Ndërkaq, shërbimet e gastronomisë janë obliguar që të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill, si dhe është ndaluar veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre.Sipas Policisë së Kosovës, vetëm në 24 orët ndërmjet të shtunës dhe të dielës, mbi 28 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova, drejt shteteve fqinje (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia).Nga ky numër, 15 mijë qytetarë, gjatë këtyre 24 orëve, kanë kaluar kufijtë perëndimorë të Kosovës, ku gjendet edhe pikëkalimi kufitar i Morinës, që lidh Kosovën dhe Shqipërinë.
Ndërkaq, në territorin e Kosovës, në këtë interval kohorë kanë hyrë mbi 21 mijë persona. Vetëm në kufijtë perëndimorë kanë hyrë mbi 9 mijë e 500 persona.Krasniqi: Ata që qëndrojnë në grumbull, super-shpërndarës të infeksionitMasat kufizuese, për të cilat Qeveria e Kosovës ka vendosur më 5 prill dhe kanë hyrë në fuqi më 7 prill, kanë pasuar për të ulur lakoren e rasteve me koronavirus, e cila në muajin e fundit është ngritur, deri në 700 apo 800 raste në baza ditore.
Infektologu Valbon Krasniqi, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), thotë për Radion Evropa e Lirë se një nga qëllimet e masave që ka marrë qeveria është që të pamundësojë grumbullimin e njerëzve në masë të madhe.Sipas tij, dyndja e një numri të madh të qytetarëve drejt Shqipërisë, nga profesionistët shëndetësorë është parë me shqetësim.
“Kur shkoni në një vend tjetër dhe qëndroni në ambiente të përbashkëta, atëherë doemos ka grumbullim dhe grumbullimi i njerëzve në masë paraqet rrezikun më të madh të përhapjes së virusit. Njihen si super-shpërndarës të infeksionit, pa marrë parasysh se në cilin vend jeni, pra, jeni në shtetin e juaj apo në një shtet tjetër.
Prandaj, neve nuk na pëlqen ajo që kemi parë gjatë këtyre ditëve.
Çdo sjellje, çdo veprim i qytetarëve që shkon në të kundërtën e zbatimit të masave që ne i kemi proklamuar tash e më shumë se një vit, rrezikon përhapjen e mëtutjeshme të virusit”, tha Krasniqi.Zyrtarët pa sqarime për zbatimin e masaveZëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke iu referuar numrit prej 29 mijë qytetarëve të Kosovës që kanë shkuar në Shqipëri gjatë fundjavës, ka thënë se kufijtë tokësorë me shtetet fqinje janë të hapur.
Sipas tij, “qytetarët kanë të drejtë të udhëtojnë sipas nevojave të tyre, duke marrë parasysh respektimin e masave në vendin mikpritës, si dhe të atyre në Kosovë me rastin e kthimit”.
“Masat janë vendosur për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Megjithatë, ato mund të arrijnë efektin, vetëm nëse të gjithë së bashku tregojmë ndjeshmëri për ruajtjen e shëndetit tonë dhe të tjetrit. Krahas vaksinimit, nuk mund të ndalen asnjëherë përpjekjet e përbashkëta për zbatimin e masave mbrojtëse, si nga qytetarët, ashtu edhe nga institucionet dhe bizneset, në mënyrë që të fitojmë sa më shpejtë betejën në luftën globale kundër pandemisë”, theksoi Kryeziu.
Por, në kuadër të vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me masat parandaluese në luftë kundër pandemisë së koronavirusi, në pikën e katërt, thuhet që “të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për testin RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë. Në të kundërtën, ata duhet të vetizolohen për shtatë ditë.Përjashtim nga pika katër e vendimit të qeverisë, bëjnë vetëm qytetarët e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.
Megjithatë, Policia e Kosovës nuk ka dhënë sqarime nëse është duke i zbatuar këto masa në kufi, gjatë hyrjes apo kthimit të qytetarëve të Kosovës nga Shqipëria, në rast se ata kanë qëndruar atje më shumë se 24 orë.Shtimi i rasteve eventuale, sfidë për spitaletNë anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, thotë se spitalet në vend janë të stërmbushura me pacientë, që nga java e dytë e muajit mars.
Rritja eventuale edhe më tej e numrit të pacientëve të infektuar me koronavirus, të cilët do të kërkonin trajtim spitalor, do ta komplikonte situatën edhe më shumë në spitale.“Po bëhen tash rreth një muaj që ne kemi diku rreth 900 pacientë, mesatarisht, brenda ditës, që marrin trajtime në spitalet tona të përgjithshme, por edhe në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe çdo rritje e mëtutjeshme e numrit të rasteve të infektuara dhe rasteve që kërkojnë hospitalizim, shërbimin spitalor dhe kapacitetet spitalore i vë përballë një sfide të jashtëzakonshme”, theksoi Krasniqi.
Ai shtoi se nga rreth 900 pacientë që marrin shërbime spitalore të përditshme, 37 prej tyre janë në gjendje kritike dhe janë duke u trajtuar në repartet e kujdesit intensiv, ndërkaq rreth 700 të tjerë janë me oksigjeno-terapi të vazhdueshme.Pacientët me COVID-19 janë duke u trajtuar në shtatë spitale rajonale në Kosovë.
Ndërkaq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë, janë pesë klinika, të cilat janë shndërruar në klinika për trajtimin e pacientëve me koronavirus.Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të dielën, më 11 prill, Kosova regjistroi 12 viktima dhe 529 raste të reja me sëmundjen COVID-19.Kosova ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars, 2020. Që atëherë, në tërësi janë regjistruar 97.996 raste, ku prej tyre 1.988 raste kanë përfunduar me fatalitet.Aktive vazhdojë të jenë 13.944 raste./REL