Rreth 24 mijë nxënës sot do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë. Zyrtarë të mistrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, dhe se organizmi i testit do të jetë i ngjashëm më vitin e kaluar, i cili do të mbahet në dy ditë.
Pjesa e parë e Testit të Arritshmërisë do të mbahet sot ku do t’i nënshtrohen rreth 24 mijë nxënës të moshës 15 vjeçare. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, i tha Radio Kosovës se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që pjesa e parë e këtij testi të organizohet sot në qendrat e caktuara.
“Në klasën e nëntë janë rreth 23 mijë e 600 nxënës. Janë bërë të gjitha përgatitjet finale që të organizohet testimi. Komunat i kanë bërë përgatitjet në qendrat e testimit dhe që nga ora 7 e mëngjesit ka filluar dërgimi i komisionerëve në qendrat e caktuara”, thotë ai.





