Përmes një njoftimi zv. Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka bërë të ditur se në autostradën “Ibrahim Rugova” ka rrëshqitje të dheut. Durmishi më tej thotë se për shkaqe sigurie dhe rrezikshmërisë së lartë në këtë segment jemi detyruar që ta mbyllim përkohësisht qarkullimin rrugor në segmentin nga Suhareka deri në Prizren.
Njoftimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Sot ka ndodhur një rrëshqitje e dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në kilometrin e 26-të në mes të Suharekës dhe Prizrenit, rrjedhimisht për shkaqe sigurie dhe rrezikshmërisë së lartë në këtë segment jemi detyruar që ta mbyllim përkohësisht qarkullimin rrugor në segmentin nga Suhareka deri në Prizren, ndërsa rruga nga Prizreni në drejtim të Prishtinës është e lirë për qarkullim.
Bashkë me ekipet e mirëmbajtjes jemi në teren dhe jemi duke punuar vazhdimisht deri në zhbllokimin e këtij segmenti rrugor, duke marrë kështu të gjitha masat e duhura në mënyrë që nesër ky segment të jetë i lirë për qarkullim. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë rrugë, që nga Suhareka deri në Prizren ta shfrytëzojnë rrugën nacionale N25.
Ju faleminderit për mirëkuptimin!