Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, një konferencë për media ka folur për kidnapimin e tre policëve kosovarë nga forcat serbe, teksa tha se për ta kjo është çështje urgjente dhe se po e ndjekin nga afër.
Stano përsëriti thirrjen e BE-së që të dy palët të përmbahen nga ndonjë veprim që do të kontribuonte në shtimin e tensioneve edhe më shumë.
“Kjo është çështje që po e ndjekim nga afër dhe është një çështje urgjente. [Jemi] në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in që është i rëndësishëm në këtë kontekst për ta kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Ne nxisim Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga ndonjë veprim apo reagim që do t’i kontribuonte tensioneve që janë të rritura”, ka thënë Stano.
Ndryshe, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës kidnapuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të vendit.
Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar tre zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.
Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar “të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë, që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë, por edhe të ndalë provokimet e saj”.
Në anën tjetër, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe më 14 qershor kanë arrestuar tre zyrtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, që sipas tij “ishin të armatosur deri në dhëmbë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën.
Ai tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë”.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se me këtë veprim po dëshmohet se Serbia “dëshiron të nxisë tensione mes dy vendeve”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se autoritetet dyshojnë se ky rrëmbim është bërë në shenjë hakmarrjeje.