Këshilli i Kryetarëve i Asociacionit të Komunave të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më datë 14 maj 2026, ka vendosur që Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë së saj.
Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Ai, ka thënë se komunat nuk do të lejojnë cenimin e vetëqeverisjes lokale.
“E drejta e vetëqeverisjes lokale është kategori kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Komunat ushtrojnë kompetencat e tyre vetanake, të zgjeruara dhe të deleguara përmes organeve përfaqësuese dhe në përputhje me parimet e decentralizimit dhe subsidiaritetit.
Pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontrollin e ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave. Çdo veprim që tejkalon këtë kufi përbën cenim të rendit kushtetues dhe të autonomisë lokale”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo rregullore përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave.
“Në këtë frymë, Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave, duke centralizuar procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe duke reduktuar autonominë funksionale të pushtetit lokal.
Një qasje e tillë bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me parimin e subsidiaritetit dhe me standardet evropiane të vetëqeverisjes lokale.
Për këtë arsye, AKK-ja, përmes komunave, do ta dërgojë këtë Rregullore të Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së saj, me qëllim mbrojtjen e autonomisë lokale dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai./EO