Një rrahje në Suharekë që ndodhi të dielën, e ku u përfshinë nëntë persona, ka bërë bujë edhe në mediumet zvicerane.
Gazeta zvicerane “Blick” ka raportuar për këtë rrahje, duke thënë se në mes të tollovisë gjendet edhe një veturë BMW me regjistrim të Zuerichut.
“Një video nga Kosova shfaq skena të tensionuara: Nëntë burra u përleshën me grushte e me shufra metali. Në mes të rrugës qëndrojnë shumë vetura, pra shihet se e kanë frenuar njëri-tjetrin. Në mes gjendet një BMW me regjistrim të Zuerichut. Shoferi pritet që t’i kalojë ditët e festave në burg”, ka shkruar Blick.
Shtatë janë ndaluar së paku 48 orë në këtë rast, dy kanë marrë lëndime.
“Raportohet se pas një mosmarrëveshje në mes të disa personave të dyshuar meshkuj kosovarë, dy prej tyre kanë pësuar lëndime trupore të cilët kanë marrë tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një revole e llojit SIX SAVER e kalibrit 9 mm dhe për momentin nuk dihet se kush e ka përdorur armën dhe cili është pronari i saj. Njësitë policore me urdhër të prokurorit kanë bastisur në dy lokacione shtëpitë e të dyshuarve dhe gjatë kontrollit në njërin lokacion kanë gjetur një shufër metali e cila dyshohet se është përdorur gjatë përleshjes në vendin e ngjarjes e cila është sekuestruar, ndërsa në lokacionin tjetër nuk është gjetur asgjë. Lidhur me rastin janë arrestuar shtatë(7) te dyshuar meshkuj kosovarë. Me vendim të prokurorit kujdestar të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, ka njoftuar Policia e Kosovës të hënën.
Në vendin e ngjarjes Policia kishte gjetur edhe një armë. Nuk është treguar se kujt i ka takuar arma.
Një lexues për Blickin ka treguar se ishte edhe një veturë e dytë me tabela zvicerane në vendin e ngjarjes.
Vetura BMW e Zuerichut i takon një 33-vjeçari nga kantoni Schwyz. Ai nuk është përgjigjur kur është kontaktuar nga gazeta zvicerane Blick.