Me ftesë të kryesuesit të Këshillit Kombëtar për Dominimin Energjetik (NEDC), sekretarit të Brendshëm të SHBA-së, Doug Burgum dhe nënkryesuesit, sekretarit të Energjisë, Chris Wright, ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, mori pjesë në Samitin Transatlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur në Washington, DC.
Samiti mblodhi udhëheqës të lartë qeveritarë nga shtetet e Evropës, përfaqësueses së lartë të Komisionit Evropian dhe drejtues të industrisë, me synim mbështetjen e përpjekjeve për të reduktuar varësinë nga burimet energjetike ruse dhe për të avancuar bashkëpunimin transatlantik në sigurinë energjetike të Evropës.
Në kuadër të programit, ministrja Rizvanolli mori pjesë në panelin ministror “Një partneritet i qëndrueshëm transatlantik”.
Siç bëhet e ditur në komunikatën e Ministrisë, në fjalën e saj, Rizvanolli falënderoi sekretarin Wright dhe sekretarin Burgum për organizimin dhe për rolin udhëheqës të SHBA-së në forcimin e pavarësisë dhe sigurisë energjetike të Evropës, duke theksuar se siguria kombëtare është siguri energjetike dhe se bashkëpunimi ndërmjet vendeve partnere që ndajnë vlera demokratike është vendimtar për një sektor energjetik të sigurt.
Sipas njoftimit, ministrja vuri në pah se për Kosovën përballueshmëria e energjisë mbetet prioritet thelbësor, dhe se vendi po ndjek një qasje të dyfishtë: rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese dhe eksplorimin e teknologjive të reja, përfshirë gazifikimin e thëngjillit, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Qeverinë dhe kompanitë amerikane.
Samiti u mbajt më 24 shkurt 2026 në Donald J. Trump Institute of Peace, Washington, DC.