LAJME

Rizvanolli: Kosova rrezikon t’i humbasë 9.4 milionë euro nga Plani i Rritjes vetëm në sektorin e energjisë

Rizvanolli: Kosova rrezikon t’i humbasë 9.4 milionë euro nga Plani i Rritjes vetëm në sektorin e energjisë
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Maj 2026, 07:44

Vetëm në sektorin e energjisë, Kosova rrezikon t’i humbasë 9.4 milionë euro nga Plani i Rritjes, për shkak të mosmiratimit nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për energjinë dhe Projektligjit për energjinë elektrike.

Kështu deklaroi ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e pyetur nga Kallxo.com se sa është shuma që Kosova rrezikon ta humbasë nëse reformat për Planin e Rritjes nuk miratohen deri në afatin skadues më 30.06.2026 . Megjithatë, ajo tregoi vetëm për sektorin që drejton – ekonominë.

“Sa i përket obligimeve të sektorit të energjisë dhe obligimeve tjera që ndërlidhen me Ministrinë e Ekonomisë, unë mund të them shifrën saktë për sektorin e energjisë – është rreth 9.4 milionë që rrezikojmë t’i humbim si rrjedhojë  e mosmiratimit të dy ligjeve për energjinë që i kishin në Kuvend: Ligjin për energjinë elektrike dhe ligjin për energjinë”- tha ajo në një përgjigje për Kallxo.com në konferencë për media më 15.05.2026.

Ajo fajësoi partitë opozitare, që sipas saj, votuan kundër që këto ligje të miratoheshin me procedurë të përshpejtuar në lexim të dytë, duke pamundësuar miratimin e tyre.

“Më vjen keq që rrezikojmë, përveç nëse arrijmë në ndonjë mënyrë të negociojmë shtyrjen e afateve për shkak të gjendjes…”- tha ajo.

Ndërsa, sa i përket obligimeve tjera që varen nga ministrisë dhe Qeveria, por që nuk duhet të miratohen në Kuvend, ajo tha se Qeveria është brenda afateve dhe synohet që deri më 30 qershor të përmbushen të gjitha. Pjesa tjetër pastaj deri më 30 dhjetor./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika