Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se qytetarët e vendit nuk pritet të preken sivjet nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.
“Jemi në periudhën që ZRRE-ja është duke e trajtuar çështjen e tarifave të energjisë elektrike, por me siguri që rritje nuk do të ketë. Sa do të jenë tarifat mbesim të shohim nga ZRRE-ja”, ka theksuar Rizvanolli në magazinën “Info Plus” në RTK.
Ajo ka thënë se në bazë të analizave dhe situatës aktuale Kosova nuk pritet të ketë ndonjë problem me furnizim me energji, por ka thënë se kjo nuk do të thotë që të mos jemi të kujdesshëm në këtë drejtim, ngase sipas saj përderisa ka konflikte në botë, veçmas në vende të cilat janë të ndërlidhura me prodhimin e energjisë, gjithmonë ekziston një paparashikueshmëri.
“Nevoja për të rritur efiçenicën e energjisë dhe për ta kursyer energjinë gjithmonë ekziston. Gjatë dy viteve të fundit ne e kemi mbajtur gjendjen stabile dhe nuk ka pasur rritje të kërkesës për energji në amvisëri”, ka thënë ajo.
Sa i përket deklaratave të mëparshme të kryeministrit Kurti, kur ai ishte në opozitë se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë, ministrja ka thënë se ajo deklaratë është e vitit 2016, që ka qenë një kontest krejt tjetër dhe është thënë në kontest tjetër, ndërsa situata në ndërkohë ka ndryshuar diametrelisht.
“Megjithatë përkundër krizës energjetike në botë ne kemi arritur t’i mbajmë tarifat më të ulëta edhe pas rritjes së çmimit, jo vetëm në krahasim me vendet e Evropës, por edhe me ato të rajonit”, ka shtuar Rizvanolli.