Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se aktualisht prodhohet vetëm 400 megavat orë energji elektrike, nga rreth 1,200 e më shumë sa është kërkesa gjatë ditës.
Rizvanolli ka thënë se dita e mërkurën ka qenë më e vështira e krizës energjetike gjatë këtij viti, duke shtuar se fushata që ka nisur për sensibilizimin e qytetarëve për kursimin e energjisë elektrike.
“Aktualisht prodhojmë vetëm rreh 400 megavat orë nga 1,200 e më shumë sa kemi kërkesa gjatë ditës. Dita e sotme ka qenë dita më e vështirë në krizën energjetike deri tani. 105 megavat orë që i kemi të erës janë jashtë funksionit Është një lajm i mirë se fushata me kursim ka filluar t’i japë efektet”, ka thënë Rizvanolli në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti dhe drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, lidhur me situatën energjetike në Kosovë.
Ajo ka thënë se më 2 nëntor është themeluar edhe Task-Forca për krizën e energjisë, e cila deri tani ka analizuar të gjitha nevojat dhe ka dorëzuar një raport me rekomandime për Qeverinë.
“Ne si ministri kemi bërë përpjekje që të bashkëpunojmë me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe kam pasur kontakte me ta, për të parë mundësitë që ne të këmbejmë me këto dy shtet që ta kalojmë krizën. Ka qenë e vështirë se këto përballen me krizë shumë më herët se ne. KEK-u ka bërë maksimumin, Ministria e Mjedisit dhe ZRR-ja e ka trajtuar me prioritet licencimin e kapaciteteve të reja. Deri dje kemi qenë duke vepruar me parashikimet e Task-Forcës, mirëpo dje situata u përkeqësua dukshëm dhe ka qenë jashtë çdo parashikimi dhe është ndalur ngrohtorja e qytetit”, është shprehur Rizvanolli.
Ndërkaq, Nagip Krasniqi, drejtor i KEK-ut ka thënë se Kosova ka qymyr mjaftueshëm dhe se në këtë aspekt nuk ka pengesa.
Ai ka thënë se te termocentrali “Kosova B” kanë pasur probleme dhe kjo ka ndikuar që ai të bie nga operimi.
“Qymyr kemi mjaftueshëm dhe sasitë e tanishme janë rreth 420 mijë tonë në deponi. Sa i përket qymyrit nuk presim ndonjë pengesë. Tek termocentrali A, kemi futur 3 njësi në operim, duke pasur parasysh krizën. Te Kosova B kemi pasur probleme, dhe këto probleme kanë shkaktuar që të bie nga operimi, ajo që është premtuese që B 1 të kthehet nesër dhe ngrohtorja të kthehet”, ka thënë Krasniqi.