Gjatë ditës së djeshme është raportuar në media se nga 29 marsi, ditë e hënë, Kosova do të përballet me masa të reja anti-Covid.
Kështu është deklaruar në media, ani pse nga autoritetet e qeverisë së re e as nga Ministria e Shëndetësisë ende nuk kanë deklaruar ose trajtuar një plan të ri për luftimin e pandemisë COVID-19, shkruan lajmi.net.
E nga mbyllja, kufizimi i orarit të lëvizjes së qytetarëve dhe punës së bizneseve më së shumti e ka goditur sektorin e ekonomisë në Kosovë ku mijëra kosovarë kanë humbur vendet e tyre të punës.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Safet Gërxhaliu një mbyllje tjetër në Kosovë pa masa paraprake ekonomike do të ishte fatale për Kosovën në aspektin ekonomik pasi pandemia COVID-19 ka goditur dy sektoret kryesore të ekonomisë në Kosovë, gastronominë dhe ndërtimtarinë.
“Një mbyllje tjetër do të jetë fatale për sektorin e gastronomisë, ndërtimtarisë dhe e tëra kjo do të gjenerojë efekte zingjirore negative, prandaj duhet të analizohet fare mirë mbyllja e posaçërisht kur dihet se shteti ka bërë shumë pak në rimëkëmbjen ekonomike”, tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu për lajmi.net është shprehur se Kosova është në situatë të rrezikshme edhe nga aspekti shëndetësor sa i përket numrit të infektuarve edhe nga aspekti psikologjik por edhe nga aspekti ekonomik.
“Kosova sot është në situatë shumë të rrezikshme, në rend të parë po shtohet çdo ditë e më tepër numri i të infektuarve, e dyta në aspektin psikologjik është se si ndihet qytetari kosovar kur vendet e rajonit kanë shkuar shumë përpara lidhur me këtë çështje ndërsa në Kosovë as nuk dihet kur do të vijë vaksina dhe në këtë drejtim nëse është paralajmëruar mbyllje atëherë nuk ka pasur strategji për shpëtimin e bizneseve në kohën e mbylljes”, tha Gërxhaliu.
Tutje, ai është shprehur se politikbërësit në Kosovë kanë pasur qasje të gabueshme karshi pasojave të COVID-19, por nëse kjo qasje vazhdon atëherë pasojat mund të vazhdojnë edhe më tepër.
Ai shpreson se qeveria Kurti do të veprojë në mënyrë paralele, të ulë rrezikun nga pandemia COVID-19 dhe paralelisht të vazhdojë me alternativat për mbështetjen e bizneseve në Kosovë.
“Në këtë drejtim mendoj se një qasje e gabuar e politikbërësve në Kosovë karshi pasojave të COVID-19 që i kanë kushtuar Kosovës mund t’i kushtojnë edhe më tepër, në qoftë se problemet nuk zgjidhen por vetëm prolongohen, dhe nuk i bëhet mirë Kosovës të thuhet le të bëhet çfarë të bëhet. Dua të mendoj që qeveria Kurti do të veprojë në mënyrë paralele që të ulet rreziku nga pandemia COVID dhe të gjejë alternativa për të mbështetur bizneset në Kosovë sepse ka pasur shumë pak mbështetje”, tha Gërxhaliu.
Edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës për Prishtinë Arian Henci për lajmi.net tha se SHGK është duke i trajtuar të gjitha alternativat në mënyrë që t’ia paraqesin ato ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia pasi sipas tij, nëse nuk ka mbështetje financiare për gastronominë, mbyllja ka indikacione ekonomike negative.
“Kjo është cekur edhe në komunikatën e fundit për media që sipas kërkesave të Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëpunim në vendimet e ardhshme në mënyrë që t’ua prezantojmë alternativat e mundshme të hartuara nga Shoqata e Gastronomëve duke i trajtuar të gjitha opinionet dhe vlerësimet dhe lidhur me këtë po presim konfirmim nga z. Vitia që t’i japim propozimet tona si në aspektin e mbështetjes ekonomike po ashtu edhe në atë të funksionimit të bizneseve, sepse ndryshe pikërisht do të ketë indikator jo të mirë në të bërit biznes në sektorin e ekonomisë”, tha Henci për lajmi.net.
Më tutje, Henci thotë se duhet të ketë mbështetje financiare në raport me mbylljen eventuale, por sipas tij, Shoqata e Gastronomëve në takim me ministrin Vitia do t’ia paraqes atij propozimet e veta.
“Duhet të kemi një lloj mbështetje financiare në raport me ndonjë mbyllje eventuale, por ende nuk ka hulumtim të saktë se çfarë do të jetë propozimi pa e marrë ndonjë vendim në Këshillin Drejtues të Shoqatës dhe kështu ato propozime t’i japim te autoritetet gjegjëse”, tha Henci.
Në anën tjetër, deri në një vendim të qeverisë ose ministrisë së Shëndetësisë, lajmi lidhur me rikthimin e masave kufizuese nga e hëna mbetet vetëm spekulim dhe mbetet të shihet se cili do të jetë plani i qeverisë së re të Kosovës në luftë kundër pandemisë dhe rimëkëmbje ekonomike.