Sot kanë rifilluar gërmimet për mbetje mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
Për rifillimin e gërmimeve në Kizhevak të Rashkës-Serbi ka njoftuar Qeveria e Kosovës, ku është theksuar se përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur kanë qëndruar në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak, me rastin e rifillimit të gërmimeve.
Pjesë e gërmimeve janë ekspertët mjekoligjorë nga Kosova, në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.
Në ditën e parë të gërmimeve është kryer dekonzervimi i terrenit, ndërsa nesër do të fillohet me tërheqjen e eshtrave.
“Gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë, do të vazhdojnë në këtë lokacion së paku për dy javë rresht. Do të punohet gjashtë ditë në javë, ndërsa të dielën do të bëhet ndërrimi i ekipeve”, thuhet në njoftim.
Poashtu u theksua se ekspertët mjekoligjorë të Kosovës, do të vazhdojnë të jenë në lokacionin e varrezës masive deri në përfundim të procesit.