SHBA-ja po i nxit vendet e tjera të formojnë një koalicion ndërkombëtar për rikthimin e qarkullimit lundrues në Ngushticën e Hormuzit, thuhet në një kabllogram të Departamentit të Shtetit, që e ka siguruar agjencia Reuters, ndërsa çmimet e naftës u rritën në nivelin më të lartë gjatë më shumë se katër vjetëve të fundit nga frika e ndërprerjeve afatgjata të furnizimeve globale me karburant.
Dy muaj pas fillimit të luftës që nisi me sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit, kanali detar jetësor mbetet i mbyllur, duke ndërprerë 20% të furnizimeve botërore me naftë dhe gaz. Kjo ka bërë që çmimet globale të energjisë të rriten dhe të shtohen shqetësimet lidhur me rreziqet e rënies ekonomike.
Përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit kanë hasur në qorrsokak. Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta zhbllokojnë me bllokadën detare të eksporteve të naftës së Iranit.
Me bisedimet e bllokuara, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të informohet të enjten mbi planet për një seri sulmesh të reja ushtarake ndaj Iranit me shpresën se do të kthehet në negociata, thuhet në një raport të Axiosit, të publikuar të mërkurën mbrëma, sipas kohës lokale amerikane.
Kjo nxiti rritje të mëdha të çmimeve të naftës, me referencën globale të naftës së papërpunuar brent që kaloi 125 dollarë për fuçi në një moment.
Që nga fillimi i vitit, çmimet e brent janë më shumë se dyfishuar, duke u rritur të enjten në nivelin më të lartë që nga marsi 2022, duke nxitur inflacionin dhe duke i çuar çmimet e pompave në nivele politikisht të dhimbshme në mbarë botën.
Irani është zotuar të vazhdojë të ndërpresë trafikun përmes Ngushticës për sa kohë që ajo është e kërcënuar, gjë që mund të nënkuptojë më shumë ndërprerje të furnizimit me naftë në Lindjen e Mesme nga një konflikt që ka vrarë mijëra njerëz.
Teherani ka paralajmëruar të mërkurën “veprime ushtarake të paprecedentë” kundër bllokadës së vazhdueshme të SHBA-së ndaj anijeve të lidhura me Iranin. Presidenti Trump ka thënë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore, ndërsa Teherani thotë se ambiciet e tij atomike janë paqësore.
“Ata nuk dinë si të nënshkruajnë një marrëveshje jo-bërthamore. Më mirë të bëhen të zgjuar sa më shpejt!” – ka shkruar Trump në një postim në mediat sociale të mërkurën, pa shpjeguar se çfarë do të përfshinte një marrëveshje e tillë.
Postimi paraqiste një imazh maketë të tij me syze të errëta dhe me një mitraloz në dorë, me mbishkrimin “Mjaft më me zotërinë Djali i mirë”.
Ndërsa Uashingtoni dhe Teherani shkëmbejnë kërcënime publike, ndërmjetësit pakistanezë po përpiqen të shmangin përshkallëzimin ndërsa të dyja palët po shkëmbejnë mesazhe mbi një marrëveshje të mundshme, ka theksuar një burim pakistanez të mërkurën.
Trump ka zhvilluar bisedime të martën me drejtuesit e naftës dhe “diskutoi hapat që presidenti Trump ka ndërmarrë për të lehtësuar tregjet globale të naftës dhe hapat që mund të ndërmarrim për të vazhduar bllokadën aktuale për muaj të tërë nëse është e nevojshme dhe për të minimizuar ndikimin tek konsumatorët amerikanë”, ka deklaruar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë./Kallxo.com