Siria e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka njoftuar presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Siç njoftoi presidentja e vendit, kjo njohje u mundësua me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot (29.10.2025) në Riad, ku tha se kanë arritur marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës.
Ndërsa, për këtë ka reguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës e Republikës Arabe të Sirisë, e cila ka konfirmuar njohjen e shtetit të Kosovës.
Përmes një njoftimi publik, Ministria siriane thekson se në takimin e mbajtur në Riad mes Republikës Arabe të Sirisë, Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Kosovës, diskutimet u përqendruan në mënyrat për të thelluar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, përfshirë çështjen e njohjes reciproke dhe hapjen e perspektivave për bashkëpunim dypalësh.
“Në këtë kontekst, Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, duke u bazuar në besimin e saj të fortë në të drejtën e popujve për të përcaktuar fatin e tyre dhe përkushtimin e saj për të forcuar parimet e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë”- thuhet në njoftimin e lëshuar sot, më 29.10.2025.
Ministria thekson se Damasku pret me padurim krijimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat politike, ekonomike dhe kulturore, në një mënyrë që u shërben interesave të përbashkëta të të dy vendeve dhe popujve miq.
Republika Arabe e Sirisë gjithashtu ka falënderuar Mbretërinë e Arabisë Saudite për rolin e saj që ka ndikuar në marrjen e këtij vendimi.
Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17.02.2008.
Shteti i Kosovës së fundmi është njohur nga Sudani më 12.04.2025 dhe nga Kenia më 26.03.2025.
Deri më tasni Kosovën e kanë njohur 120 shtete të botës.
Vrulli i madh i njohjeve ka qenë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Me kalimin e viteve ra edhe numri i tyre, edhe pse dy vjet pas mëvetësisë, në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2010 se “pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare”
