Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësimin për rritjen e sërishme të çmimeve të derivateve, e cila sipas tyre, po shton presionin mbi bizneset, fermerët dhe konsumatorët, dhe po rrit kostot e operimit në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.
Që nga fillimi i krizës, DHTIK thekson se ka kërkuar mbajtjen e një tryeze të përbashkët ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, me qëllim që të analizohen ndikimet e rritjes së kostove dhe të prezantohen propozime konkrete për përballimin sa më të lehtë të situatës. Megjithatë, sipas tyre, deri më tani nuk ka pasur gatishmëri të mjaftueshme institucionale për realizimin e një takimi të tillë.
“Ndikimi i rritjes së çmimeve të derivateve është veçanërisht i ndjeshëm në një kohë kur bizneset vazhdojnë të përballen me reduktime të energjisë elektrike. Për një pjesë të ndërmarrjeve, veçanërisht ato prodhuese, ndërprerjet e energjisë i detyrojnë të përdorin gjeneratorë për të vazhduar procesin e punës, duke krijuar shpenzime shtesë për blerjen e derivateve. Ndikimi është i drejtpërdrejtë edhe në sektorin e bujqësisë, pasi derivatet janë një input i domosdoshëm për fermerët, të cilët i përdorin për traktorët dhe makineritë bujqësore gjatë përgatitjes së tokës, mbjelljes, trajtimit dhe korrjes. Rritja e çmimit të derivateve përkthehet drejtpërdrejt në rritje të kostos së prodhimit bujqësor dhe mund të reflektohet në çmimet e produkteve, që ndikon më pas në pjesëmarrjen e tyre në tregun edhe ashtu të ngufatur nga importi.” – thuhet në reagim.





