Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se pavarësisht të gjitha përgatitjeve për të filluar vitin e ri shkollor, rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP-ja janë që të vazhdohet me masat që janë në fuqi, duke nënkuptuar që mësimi fizik të mos fillojë as më 13 shtator.
“Megjithatë, në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, u njoftova se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave. Natyrisht se ne do të respektojmë rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e radhës së Qeverisë”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e saj në Facebook.





