Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë arsyet përse kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sërish të shtyhet regjistrimi i popullsisë për vitin tjetër.
Zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha thekson se vonesa në procedurat e prokurimit për blerjen e tabletëve, mosrekrutimi i regjistruesve dhe mbikëqyrësve dhe mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb në pjesën veriore të vendit, janë disa nga arsyet që Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk mund të fillojë regjistrimin e popullsisë më 1 nëntor, ashtu siç ishte paraparë.
Përveç kësaj shqetësuese mbetet edhe mungesa e aplikantëve për pozitat e mbikëqyrësve në procesin e regjistrimit të popullsisë. Përkundër që ishte shtyrë ky proces për dy muaj, ky institucion ka bërë kërkesë tek Qeveria e Kosovës që të shtyhet sërish afati.
Berisha ka fajësuar Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për vonesën e hapjes së konkursit për regjistrues dhe mbikëqyrës.
Zëvendëskryeshefi Berisha derisa ka renditur faktorët që kanë ndikuar të shtyhet ky proces, thotë se janë në pritje të vendimit nga Qeveria për propozimin e dhënë për shtyrje.
“Për shkak të procedurave të prokurimit, Agjencia Qendrore e Prokurimit nuk ka arritur të sigurojë me kohë tabletët e nevojshëm. Ajo që ishte kontraktuar në shtator të ishin prezent tabletët dhe që sipas planit të aktiviteteve të zhvillohen të gjitha procedurat, duke filluar nga instalimi i gjitha aplikacioneve në këto tabletë, pastaj të bëhet një test pilot dhe të fillojnë trajnimet para datës 1 nëntor. Ne me fillim të tetorit dërguam kërkesë zyrtare tek kryeministri për një rishikim të datës përsëri për shkak se jemi vonë me këto aktivitete që ndërlidhen me mungesë të tabletëve dhe me mosrekurtimin e 3500 regjistrueseve dhe rreth 900 mbikëqyrëseve, kushtëzojnë patjetër që të shtyhet regjistrimi i popullsisë”, deklaron Berisha.
Ai tha se kanë propozuar që procesi i regjistrimit të fillojë nga viti tjetër dhe në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare për motin.
“Ne kemi dhënë propozim në kërkesën tonë, ndërsa vendimi mbetet tek Qeveria kur vendos. Propozimi jonë është për vitin e ardhshëm, për shkak se muaji dhjetor është muaji i dimrit, kushteve të vështira dhe rekomandimet ndërkombëtare, sikurse nuk preferohet muajve të dimrit, gjithashtu edhe për muajin gusht me temperatura të larta nuk preferohet. Andaj, duhet të ju shmangem dhe të jemi në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare…Pra, më 1 nëntor nuk fillon”, tha ai për KosovaPress.
Berisha thotë se ende nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e mbikëqyrësve dhe regjistrueseve, kjo për shkak që Ministria e Financave nuk ka bërë vlerësimin e tyre ende.
Ndërkaq, sa i përket tabletëve, ai tha operatori i dytë pritet t’i liferoj më datën 2 nëntor, porse shton se nevojitet kohë për regjistrimin e programeve.
“Jemi në pritje të vendimit, qeveria është duke shqyrtuar, operatori i dytë ekonomik që ka fituar tenderin me tabletë sipas kontratës do t’i liferojë me datën 2 nëntor, mirëpo edhe në këtë datë kërkohet që të jetë një periudhë për instalimin e atyre programeve dhe të fillojnë trajnimin. Në anën tjetër ende nuk i kemi siguruar mbikëqyrësit dhe regjistruesit për t’i angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë. Konkursi është ende i hapur për shkak se nuk është numri i mjaftueshëm i të aplikuarve, nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e tyre dhe për intervista, vlerësimin e tyre që ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave që t’i bëjë këto komisione, përkundër që neve kemi propozuar… Kështu është e pamundshme të realizohet regjistrimi me 1 nëntor”, shtoi Berisha.
Në këtë drejtim, sfidë tjetër, Berisha tha se mbetet edhe mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore.
“Qeveria ka qenë tërë kohen e informuar dhe ne për këtë qëllim kemi kërkuar për rishikim të dytë të datës…Përtej këtyre është edhe një sfidë tjetër, mundësia e bojkotit të komunitetit serb në regjistrimin e popullsisë, çfarë nuk do e dëshironim, sepse në bazë të rekomandimeve ndërkombëtare kërkohet që pjesëmarrja të jetë afërisht 100 për qind e popullsisë në territorin e caktuar dhe një bojkot nga komuniteti serb, do e vëntë në pikëpyetje dhe rezultatet nuk do të ishin valide. Për të mos shkuar tek kjo, kemi kërkuar afat shtesë…
Katër komisionet komunale janë pjesë për katër komunat veriore, janë themeluar me vonesë, edhe pse ato janë themeluar në shtator, baza ligjore është që ato kërkohen të themelohen gjashtë muaj para datës së regjistrimit. Çështja tjetër është situata që ndodhi në shtator, e ka komplikuar edhe më tepër, dhe po shpresojmë se gjatë kësaj periudhe do të ketë një arritje, kështu për një datë tjetër së paku te jemi në harmoni me dispozitat ligjore dhe të kemi një pjesëmarrje qind për qind të komunitet serb”, vijoi Berisha.
Ndërkaq, shqetësuese për këtë institucion mbetet edhe mungesa e aplikimeve.
“Komisionet për rekrutimin, ne i kemi propozuar komisionin për pranimin e mbikëqyrëseve dhe në bazë të vendimit që është hap ky konkurs për angazhim një muaj, në vendim shkruhet se komisionet i krijon Ministri i Financave. Ne i kemi dërguar propozimet dhe jemi në pritje të themelimit të këtyre të komisioneve…Vonesa e hapjes së konkursit që është hap me 27 shtator, shumë afër të regjistrimit të popullsisë, sepse në bazë të planit të aktiviteteve është planifikuar që me datën 12 tetor të fillojnë trajnimet e anketuesve, regjistruesve dhe mbikëqyrësve.
Ndërsa, me 12 tetor ne kemi bërë rishpalljen për aplikim, për brenda shtatë dite rreth 70 për qind kanë aplikuar për pozitat e regjistrueseve dhe mbikëqyrësve. Tek këta të fundit është situata pak më ndryshe për shkak se aplikimet janë të mjaftueshme, përjashtim katër komunat veriore që mungojnë edhe për 12 mbikëqyrës nuk ka aplikime, ndërsa për regjistrues është situatë pak më ndryshe, edhe pse e kemi rihap, përsëri numri i interesuarave është shumë i vogël “, përfundoi Berisha.
Qeveria e Kosovës pritet që sërish të merr vendim për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë në vend.
Burime të KosovaPress bënë të ditur se pas kërkesës të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ekzekutivi i vendit pritet që gjatë kësaj jave të merr vendim ta shtyjë sërish procesin e regjistrimit të popullsisë.
Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.
Sipas regjistrimit të 2011-së, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë.