LAJME

Refuzoi kontrollin doganor në Vërmicë, përballet me gjobë deri në 3 mijë euro

Refuzoi kontrollin doganor në Vërmicë, përballet me gjobë deri në 3 mijë euro
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Korrik 2026, 16:31

Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj një shtetasi të huaj, pasi dyshohet se nuk ka zbatuar urdhrin e ligjshëm të një zyrtari doganor gjatë kontrollit në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, gjatë kontrolleve rutinë në hyrje të Republikës së Kosovës, një automjet me targa të një shteti fqinj është ndaluar për kontroll. Drejtuesi i automjetit është pyetur nëse kishte mallra apo sende që duhej të deklaroheshin pranë autoriteteve doganore, ndërsa ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar.

Më pas, bazuar në procedurat dhe kompetencat ligjore, zyrtari doganor i ka kërkuar drejtuesit të automjetit të hapë bagazhin për kontroll fizik. Megjithatë, sipas Doganës, personi ka refuzuar të zbatojë urdhrin dhe është larguar nga pika kufitare.

Falë bashkëpunimit ndërmjet Doganës së Kosovës dhe Policisë Kufitare, personi është identifikuar dhe ndaj tij është iniciuar procedurë për kundërvajtje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dogana ka rikujtuar se zyrtarët doganorë kanë autorizim ligjor për të ndaluar, verifikuar dhe kontrolluar personat, automjetet, bagazhet dhe mallrat që hyjnë ose dalin nga territori doganor i Kosovës.

Sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave, mosrespektimi i urdhrit të një zyrtari doganor përbën kundërvajtje dhe mund të dënohet me gjobë nga 300 deri në 3 mijë euro.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika