Një grua e arratisur nga lufta e Kosovës dhe një yll i muzikës pop, të dy shqiptare, të dy në kopertinën e prestigjiozes Time Magazine me një diferencë prej 25 vjetësh – ky është tregimi i dy grave që kanë shkruar histori.
Në prillin e vitit 1999, e shënjestruar nga objektivi i fotografit, Sherife Luta u bë ikonë e rezistencës dhe e dhimbjes njerëzore. Fotografia e saj, në të cilën ajo shfaqet duke ikur nga lufta, u bë një nga imazhet më të fuqishme në Kosovë. Ajo nuk ishte vetëm një fytyrë në turmën e refugjatëve – ajo u bë fytyra e të gjithë atyre që lënë pas jetën, shtëpinë dhe të ardhmen në kërkim të sigurisë.
Kjo grua shqiptare që iu desh të largohej nga zjarri i luftës, të kapërcente malet me vajzën në krah, udhëtoi drejt të panjohurës, duke u bërë ikona e një kohe plumash.
Prill, 2024, Time Magazine përsëri e ka vëmendjen te një grua shqiptare. Kësaj here është Dua Lipa, këngëtarja me famë botërore që ka pushtuar skenat e muzikës dhe zemrat e dëgjuesve. Në një intervistë ekskluzive, Dua ndan rrugëtimin që e solli atë nga ëndrrat e fëmijërisë, deri te sfidat dhe triumfet e saj si një artiste me ndikim të madh global.
E rritur në një familje shqiptare që ka përjetuar vetë sfidat e refugjatëve, Dua shprehet me pasion për rrënjët e saj dhe për dëshirën e të rinjve në Kosovë për të eksploruar botën. Ajo thekson rëndësinë e lirisë së lëvizjes dhe të mundësisë për të krijuar lidhje dhe përshtypje të reja, për një vend, që shpesh është perceptuar nëpërmjet këndvështrimit të konfliktit.