Nga e mërkura në Kosovë kanë nisur reduktimet e energjisë elektrike. Të enjten, institucionet kanë njoftuar se në mënyrë që të bëhet balancimi i sistemit, KEDS-i do të fillonte me reduktimet prej 8 me 2 në favor të rrymës. Por, jo çdokund kjo është ndjekur, diku rryma është ndalur për orë të tëra.
Të paktën, në Prishtinë në disa lagje qytetarët janë përcjellë me reduktimet e tilla. Në lagjen Aktash për gati 10 orë nuk ka energji elektrike, qysh nga mëngjesi i hershëm i së premtes. Banorë të rrugës “Ali Kelmendi” në këtë lagje ankohen se as dje rryma nuk qe stabile.





