Me 5 mijë e 100 euro është gjobitur Lëvizja Vetëvendosje për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në fushatë zgjedhore.
Kundër LVV-së, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ishin ankuar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte pretenduar se më datë 30.05.2026, gjatë një tubimi zgjedhor të organizuar në Vushtrri nga Lëvizja Vetëvendosje, kandidati për Kryeministër nga radhët e LVV-së Albin Kurti, ka ftuar në skenë një vajzë të mitur, rreth moshës 10 vjeçare, e cila ka recituar para pjesëmarrësve të tubimit.
LDK ka potencuar se vajza reciton e veshur me me rroba dhe logo të LVV-së.
“Sipas parashtruesit të ankesës, pjesëmarrja aktive e fëmijës në skenë, para publikut dhe në kuadër të një aktivitetit të organizuar zgjedhor, përbën angazhim të një personi nën moshën 15 vjeçare në 1 fushatë zgjedhore, gjë që është e ndaluar nga rregullat zgjedhore në fuqi dhe se PZAP në rastet e mëhershme ka konstatuar se pjesëmarrja e fëmijëve në aktivitete dhe materiale të fushatës zgjedhore përbën shkelje të rregullave zgjedhore dhe ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike.”- thuhet në vendimin e PZAP, e aty po ashtu thuhet se LDK ka bashkëngjitur si prova fotot dhe linkun nga tubimi në fjalë.
Lëvizja Vetëvendosje në përgjigje të ankesës kishte deklaruar se vajza nuk ka qenë pjesë e programit të organizuar të tubimit, nuk ka qenë e angazhuar nga subjekti i tyre dhe nuk ka pasur asnjë rol të planifíkuar në aktivitetin zgjedhor.
“Sipas tyre, para fillimit të tubimit, e mitura i është afruar vetë kandidatit për kryeministër Albin Kurtit dhe ka kërkuar që t’i mundësohet të këndojë një këngë para të pranishmëve dhe se kjo është bërë në prani të prindit të saj, i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes dhe nuk ka shprehur asnjë kundërshtim lidhur me veprimin e vajzës.”- thuhet në vendimin e PZAP-së.
Kjo parti ka argumentuar se në këtë rast nuk mund të thuhet se ka pasur angazhim të personave nën 15 vjeç pasi që iniciativa ka ardhur nga vetë e mitura dhe nuk ka prova që vërtetojnë organizim paraprak, marrëveshje apo udhëzim të planifikuar të të miturës.
“Tutje, LVV shton se ankuesit nuk pretendojnë dhe nuk dëshmojnë se prindi i të miturës ka kundërshtuar pjesëmarrjen e saj, ndërsa sipas tyre prindi ka qenë në tubim dhe se propozojnë edhe dëgjimin e dëshmitarëve relevantë, përfshirë prindin e të miturës.”- thuhet tutje në këtë vendim.
PZAP ka vendosur se ankesat e LDK-së dhe IKD-së janë të bazuara.
Për pretendimin e LVV-së se nuk ka angazhuar të miturën, PZAP ka thënë se e vlerësoi si të pabazuar, për faktin se në momentin kur organizatori i aktivitetit i ka mundësuar të miturës hyrjen në sallë, pastaj paraqitjen në skenë para publikut në kuadër të tubimit zgjedhor, pjesëmarrja e saj konsiderohet përfshirje aktive në fushatë zgjedhore.
“Lidhur me pretendimin nga përgjigja në ankesë se “Në rastin konkret nuk ekziston asnjë provë që e mitura është ftuar, organizuar, koordinuar apo angazhuar nga Lëvizja Vetëvendosje!…” Këto pretendime paneli i vlerëson si të pabazuar, për faktin se nuk është më rëndësi në këtë rastë se a ka pasur ftesë, organizim apo koordinim për të marrë pjesë e mitura në aktivitete politik, por me rëndësi është fakti se organizatori i këtij aktiviteti e ka lejuar që të marrë pjesë në këtë aktivitet politik, veprim ky i cili bije në kundërshtim me Rregulloren e sipërcituar.”- thuhet tutje në vendimin e PZAP-së.
Veprimi i LVV-së, PZAP ka konstatutar se ishte në kundërshtim me Rregulloren Zgjedhore për Fushatën e Zgjedhjeve.
Vendimi i plotë në këtë link.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) më 01.06.2026 ka dërguar një ankesë zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër Lëvizjes Vetëvendosje, pas një ngjarje të shënuar gjatë një tubimi elektoral në Vushtrri.
Sipas pamjeve të datës 31.05.2026, kryetari i LVV-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti, ka mbajtur në skenë për më shumë se dy minuta një vajzë të mitur. Para publikut, Kurti ka deklaruar se e mitura kishte kërkuar vetë të ngjitej në skenë për të kënduar një këngë.
“Përderisa e mbante fjalën e tij kryetari i degës Sylejman Meholli, një vajzë e vogël e Vushtrrisë, nxënëse… më tha a bën me ardh me këndu një këngë. E pyeta si quhet kënga, [ajo] tha ‘Oj Kosovë’. I thashë, bon”- ka thënë Kurti para të pranishmëve.
Megjithatë, në vend të një kënge, fëmija ka recituar vargje me tone të ashpra politike, të cilat targetonin kundërshtarët politikë: “Ju vraftë zoti kriminela, shkatërrut fabrika, e i shitët për hekra, i lat punëtorët me duar në xhepa. Ju vraft Zoti, iu vraft Allahu…”
Vajza e ka përfunduar recitimin me thirrjet: “Albin baba, Albin baba”.
Pas largimit të vajzës nga skena, Kurti e ka komentuar situatën duke u shprehur: “Unë për herë të parë e takova dhe dëgjova (përmendi emrin e vajzës), por atë që e mësova është që fëmija janë edhe më radikal se unë. Prandaj duhet të bëjmë çmos të gjithë ne që këta fëmijë ta kenë ardhmërinë e ndritshme…”
Ngjarja ka alarmuar Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), i cili përmes një deklarate publike ka dënuar dukurinë e përdorimit të fëmijëve për agjenda partiake, duke theksuar se raportimet e ditëve të fundit tregojnë një trend shqetësues në terren.
“Shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime politike përbën shkelje të të drejtave të tyre, cenon mirëqenien e tyre dhe nuk është në interesin më të mirë të fëmijës”- thuhet në reagimin e KOMF-it, duke u bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të shmangin çdo formë të përfshirjes së të miturve në fushatë.
KOMF i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe, në çdo rast kur konstatohet përfshirja ose shfrytëzimi i fëmijëve në fushatë zgjedhore, të ndërmarrë veprimet dhe masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 07.06.2026 ka nisur më 28.05.2026./Kallxo.com