Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuku, ka reaguar pas deklaratës së Presidencës që mohoi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka ofruar mbështetje presidentes Vjosa Osmani për një mandat të dytë dhe nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë.
Shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj, e quajti këtë pretendim të LVV-së “gënjeshtër”.
“Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër,” shkroi Hollaj në Facebook.
Pas këtij reagimi, Manxhuku iu përgjigj në rrjetet sociale, duke ofruar sqarime dhe mbështetje të hapur për kandidaturën e Osmanit.
“Nëse shefja e zyrës së Presidentes ka dyshime se nuk i kemi premtuar Presidentes 30 nënshkrime, e ftoj që sonte të vijë në zyret e Lëvizjes, ku do t’i ketë edhe 3 më shumë se kandidati Glauk Konjufca, pra 33,” shkroi ai.
Ndërkaq Hollaj kritikoi ashpër LVV-në për mënyrën se si po e trajton procesin e kandidaturës së Osmanit.
Sipas saj, tendenca me e fajësu opozitën për shkuarje në zgjedhje, është turp.
“Nëse dikujt i thoni ‘eja veç sa për formalitet, bëhu kundërkandidate e Glauk Konjufca’, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur, por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër, në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla. Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu”, tha Hollaj.
Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill.
Nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike sikurse është shkuarja në zgjedhje.