Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar ndaj Prokurorisë Speciale, duke e akuzuar për përpjekje për të diskredituar dëshmitarë ndërkombëtarë në proceset gjyqësore që lidhen me luftën në Kosovë.
Në reagimin e saj, OVL UÇK thekson se etiketimi i figurave si Wesley Clark dhe James Rubin si të njëanshëm apo të pabesueshëm është i papranueshëm.
“Etiketimi i figurave si Gjeneral Wesley Clark dhe James Rubin si të njëanshëm apo të pabesueshëm, e nxjerr Prokurorinë nga argumentimi ligjor dhe e zhyt në armiqësi politike, madje edhe në absurditet profesional,” thuhet në deklaratë.
Sipas organizatës së veteranëve, dëshmitarët ndërkombëtarë nuk kanë paraqitur qëndrime të fabrikuara për luftën në Kosovë.
“Këta dëshmitarë nuk trilluan histori. Nuk i shërbyen asnjë agjende personale. Ajo çfarë deklaruan është ajo që pa e gjithë bota,” thuhet më tej në reagim, ku theksohet se “UÇK-ja zhvilloi luftë të drejtë dhe të domosdoshme kundër shtypjes jugosllave”.
OVL UÇK vlerëson se kontestimi i dëshmive të tyre përbën qasje të motivuar politikisht dhe jo juridikisht.
“Sjellje të tilla shfaqin panikun e tyre përballë fakteve që refuzojnë t’i nënshtrohen një vendimi të paracaktuar,” thekson organizata.
Në fund të reagimit, OVL UÇK i bën thirrje gjykatës që të vlerësojë provat në mënyrë objektive.
“Kërkojmë që Gjykata t’i trajtojë këto manovra me përbuzjen që meritojnë, duke peshuar provat dhe jo mërinë politike,” përfundon deklarata, e cila thekson se “historia e kësaj lufte u shkrua me gjak” dhe se “arroganca institucionale nuk do të mund ta përmbysë.”