Kryeparlamentari Dimal Basha ka thënë se e çmon lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit për liri, në një reagim të mërkurën në mbrëmje, pas raportimeve se ai kishte shkruar para 12 vjetëve një artikull kundër UÇK-së.
Në një reagim në rrjete sociale ai i ka cilësuar shkrimet si raportime të rreme dhe sulme ndaj tij. Basha, emri i të cilit figuron në punimin “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi transnacional, Islami fundamental dhe aleancat e pashenjta”, ka thënë se përgjegjësia e tij në këtë artikull qëndron vetëm për kapitullin për depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.
“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë. Në lidhje me këtë çështje, tashmë është sqaruar për media edhe vet autorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një email demantues, dhe e ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull”, ka shkruar ai në Facebook.





