Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se pas lirimit të tre policëve, radha është për shtensionimin e situatës në pjesën veriore dhe rikthimin e normalitetit.
Ai shkroi në Facebook të hënën se normaliteti në veri duhet të bëhet nëpërmjet veprimeve të matura dhe të përgjegjshme politike.
“Lirimi i tre policëve nga mbajtja arbitrare në Serbi – Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës, megjithëse mjaft i vonuar, është lajm i mirë për familjet e tyre dhe për qytetarët e shtetin tonë. Falënderoj të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët u angazhuan dhe luajtën një rol vendimtar në këtë proces. Tani, radha është për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit dhe për rikthimin e normalitetit atje, përmes veprimeve të matura dhe të përgjegjshme politike”, thuhet në shkrimin e tij.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, deklaroi se duhet qenë falënderues dhe mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, për lirimin e tre policëve, që ishin kidnapuar nga autoritetet serbe.
“Lirohen tre policët nga Kosova. Falënderim dhe mirënjohje SHBA-ve, Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli ka publikuar një fotografi me tre policët derisa ka shkruar “më në fund”.
Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi ishin kidnapuar më 14 qershor të këtij viti. Institucionet kanë bërë të ditur se ata ishin kapur brenda territorit të Kosovës nga njësi speciale serbe.
Për lirimin e tyre kanë bërë thirrje Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë që çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim për mbi 10 ditë.
Ai deklaroi të hënën pasi policët u liruan se veprimet e papërgjegjshme të Kosovës dhe ato të Serbisë, bënë që policët e kidnapohen, derisa shtoi se lirimi i tyre u bë i mundur “vetëm falë ndërhyrjes së diplomacisë amerikane”.
“Lirimi i tre policëve të Kosovës është lajm i mirë, para së gjithash për familjet e tyre por edhe për Kosovën, por kjo nuk nënkupton që kjo ngjarje mund të konsiderohet e mbyllur vetëm me lirimin e tyre. As Presidenti i Serbisë e as Kryeministri i Kosovës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj për më shumë se dhjetë ditë. Policia e Kosovës nuk duhet të paguajë çmim për veprimet e papërgjegjshme e kalkuluese politike të regjimit në Serbi, apo të veprimeve të papërgjegjshme të qeverisë në Prishtinë, e cila çoi në rrëmbimin e policëve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj, për më shumë se dhjetë ditë”, tha ai.
Sipas Haradinajt, falënderimi dhe mirënjohja i takon Amerikës.