Jo për herë të parë shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka dalë me deklarata kundërthënëse për veprimet që i merr Kosova brenda territorit të saj.
Fillimisht, ai kishte theksuar se nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri për sulmet ndaj forcave të rendit.
Kurse, tani kur u arrestua serbi i radhës i dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, arrestimin e quan jashtëgjyqësor. Në të njëjtin reagim, diplomati spanjoll alarmoi edhe edhe për marshimin e FSK-së në jug të Mitrovicës.
Borellit iu përgjigj mbrëmë kryeministri Albin Kurti duke thënë se dezinformomi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm.
Kurse të shtunën, ndaj deklaratës së kryediplomatit evropian reagoi edhe udhëheqësi kryesor i Policisë së Kosovës.
“Veprimet tona janë të bazuara në ligj duke përfshirë dhe arrestimet. Të gjitha veprimet tona policore, përfshirë arrestimet bëhen përmes procesit të hetimeve. Asnjë arrestim i bërë nga Policia e Kosovës nuk është arrestim arbitrar, as i jashtëligjshëm, por i bazuar në ligj”, ka thënë Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë.
Në këtë linjë, si të papranueshme deklaratat e Borrellit po i konsideron ish-ambasadori Sylë Ukshini.
Ai thotë se një Borell të tillë nuk e kemi parë kurrë karshi veprimeve të Serbisë, duke e harruar kështu, sipas tij, rolin e ndërmjetësuesit.
“Unë nuk kam pa deklaratë më të pabalancuar diplomatike, është një deklaratë tepër e njëanshme, sepse nuk mund të themi a janë arrestime të ligjshme a të paligjshme, përderisa derisa policia ka arrest me një urdhër të prokurorisë, ajo që do duhej të bënte borell, është të përshëndeste Policinë dhe të kërkonte një gjyqësi fer, dhe të pa anshme dhe për këtë BE-ja ka instrumente që mund ta monitorojë”, ka deklaruar Sylë Ukshini Ish-ambasador.
Por nga tjetra anë profesori Milazim Krasniqi, deklaratat me panik të BE-së i sheh si pasojë e paralajmërimeve për veprime të njëanshme nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Për sa ka kohë ende, kryeministri duhet ta moderojë qëndrimit e vet, kemi një situatë absurd ku Komuniteti Ndërkombëtar po beëson se veprimet e kryeministrit Kurti janë provokative, ndërkaq të Serbisë reaktive, pra kjo e bën me faj qeverinë tonë dhe e amniston Serbinë. Pra jemi në një defansivë politike që do duhej të ndalej disi”, ka sqaruar Milazim Krasniqi Profesor.
Presidenti serb Vuçiq ka paralajmëruar se serbët “do të marrin hapa për lirinë e tyre” më 28 qershor kur ky komunitet shënon Vidovdanin./Dukagjini/