Home LAJME Rashiti: Kërkesa e Serbisë në dialog, autonomi të territoreve të banuara me serbë

Rashiti: Kërkesa e Serbisë në dialog, autonomi të territoreve të banuara me serbë

0
Rashiti: Kërkesa e Serbisë në dialog, autonomi të territoreve të banuara me serbë

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kërkesa publike e Serbisë në raport me marrëveshjen finale në dialogun Kosovë-Serbi, por kërkesa reale përfshin një “autonomi sa më të madhe”, thotë Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit, i cili merret me hulumtimin e politikave.

Rashiti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë po ashtu paralajmëron për publikimin e “non-paper” të ri dhe thotë se kjo do të ndodhë sepse “ka rritje intensive të procesit të pavarësimit të Republikës Serbe” në Bosnje e Hercegovinë. Sipas tij, “ambiciet e akterëve të fuqishëm nacionalistë, janë rritur në Ballkan”.

Së fundmi, Grupi i Ballkanit ka angazhuar ekspertë të jashtëm për të asistuar Qeverinë e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Ai tha se Qeveria aktuale duhet të ndërtojë agjenda pro-aktive me institucionet e BE-së dhe vendet anëtare të BE-së, paralelisht krahas dialogut, pa e ngadalësuar apo tjetërsuar dialogun, por duke shtyrë të gjitha agjendat në mënyrë paralele.

Rashiti ka folur edhe rreth “non-paper”.

“Ballkani Perëndimor është bërë konflikt i ngrirë dhe çështja e kufijve nuk flitet për shkak të çështjes së Kosovës apo të çështjeve të dialogut Kosovë-Serbi. Çështja e kufijve vjen kryesisht, ekskluzivisht nga çështja e Bosnjës dhe nga qarqet që kanë interes për zgjerim të ndikimit në Ballkan.

Dokumenti, ‘non-paperi’ i parë, i artikuluar të jetë slloven, nuk ka lidhje me Slloveninë, është dokument i artikuluar nga qarqe të tjera: Bosnja, Republika Serbe, Hungaria dhe Rusia.

Kjo mbetet e pazgjidhur. Ballkani Perëndimor trajtohet si çështje e pazgjidhur ose konflikt i ngrirë, pothuajse. Derisa të mos ketë zgjidhje, do të ketë debate të tilla dhe ka tentativa, ka ambicie, ka beteja për rritje të kontrollit”, tha Rashiti.

Sipas tij, dokumente të tilla do të ketë vazhdimisht, sepse ka rritje intensive të procesit të pavarësimit të Republikës Serbe.

“Kishte një agjendë, një sforcim, një përpjekje madhore të Sllovenisë për të shtyrë integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, ose agjendën për integrim drejt BE-së në udhëheqjen e saj të presidencës së BE-së, në pjesën e dytë të vitit.

Ambiciet e akterëve të fuqishëm nacionalistë, janë rritur në Ballkan. Kjo situatë do të zhvillojë edhe situata të reja, për aq sa mbetet kështu, pas një viti a dy, do të na dalin edhe shumë “non-papers” të tjerë.

Nuk do të befasohemi edhe nga zhvillimet e tjera. Në një moment të caktuar, nuk do ta befasojë askënd edhe ndarja e Bosnjës, nëse mbetet kështu siç është”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here