Home LAJME Rashiq: Disa persona me numër të Serbisë thirren bashkëpunëtorët e mi, i thanë se do t’i shfaqim në publik disa gjëra për ju

Rashiq: Disa persona me numër të Serbisë thirren bashkëpunëtorët e mi, i thanë se do t’i shfaqim në publik disa gjëra për ju

0
Rashiq: Disa persona me numër të Serbisë thirren bashkëpunëtorët e mi, i thanë se do t’i shfaqim në publik disa gjëra për ju

Nenad Rashiq, nënkryetari i sapo zgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, më 10.10.2025, në një konferencë për media ka ndarë detaje të rasteve kur janë kontaktuar ai dhe bashkëpunëtorët e tij nga persona që i kanë telefonuar me numër nga Serbia disa ditë para zgjedhjeve.

Sipas Rashiqit, më 24.07.2025 një person me numër nga Serbia kishte kontaktuar tre bashkëpunëtorët e tij të afërt dhe u ishte paraqitur si bashkëpunëtor i Agjencionit Informativ në Serbi.

“Me ultimatum u kanë thënë që të vijnë në Beograd brenda dy dite për të mirën e tyre. Siç u ka thënë. E enjte ka qenë, takimi është caktuar për të shtunën. Zëri me të cilin iu ka drejtuar ka qenë kërcënues dhe urdhërues. Askush nga bashkëpunëtorët e mi nuk i është përgjigjur kësaj thirrjeje”- ka deklaruar Rashiq gjatë konferencës.

Pasi bashkëpunëtorët e tij nuk i ishin përgjigjur kërkesës së personit që Rashiq pretendon se i ka kontaktuar, në javën e parë të gushtit, numri i njëjtë iu ka dërguar porosinë, sipas tij, “Nuk keni dashur të bashkëpunoni, edhe tash e tutje ne për ju do t’i shfaqim në publik disa gjëra komprometuese për ju”.

Rashiq tha se nuk janë marrë me këtë punë, sepse disa herë u ka ndodhur të kontaktohen në këtë mënyrë, por kishte marrë vesh se në gjysmë të muajit gusht disa redaksi kanë marrë disa incizime.

Dhe pastaj tha se menjëherë i ka lajmëruar organet përgjegjëse për këtë gjë.

“Nuk e kemi marrë seriozisht, për arsye se nuk ka ndodhur asgjë në atë kohë, mirëpo në këtë 10 ditëshin e fundit, një portal i publikoi të ashtuquajtura këto incizime që absolutisht nuk janë të vërteta, janë të montuara, do të thotë janë gënjeshtër.” – tha Rashiq.

Në dosjen e Prokurorisë për të dyshuarin për spiunazh, Fatmir Shehollit, përmendet një rast në të cilin Sheholli bashkë më bashëkshorten e tij kishin shkruar në Mitrovicë të Veriut dhe kanë pranuar disa audio materiale dhe transkripta.

“…është vërtetuar se me dt. 26.09.2025, rreth orës 14:00, sipas udhëzimeve dhe planit operativ të përgatitur nga zyrtari i lartcekur i BIA-s, Bojan Dimic, i pandehuri Sheholli, së bashku me bashkëshorten dhe veturën e tij, të tipit Audi, janë shkuar në Mitrovicën e Veriut dhe kur kanë arritur në parkingun e shkollës teknike, nga një person i panjohur deri më tani ka pranuar materiale audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, që dyshohet se janë komprometuese si dhe një shumë të të hollave si shpërblim për publikimin e tyre, të cilat materiale pastaj janë publikuar në media online në Kosovë, çka me këto veprime i pandehuri Fatmir Sheholli, me dashje dhe vetëdije e ka ndihmuar BIA-n duke zbatuar udhëzimet e tyre, çka me këtë e ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, integritetin e zyrtarëve dhe të qytetarëve të saj” – thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale që e ka siguruar KALLXO.com

Sipas tij, edhe në zgjedhjet e kaluara që u mbajtën më 09.02.2025, kanë pasur problemin e ngjashëm, edhe atëherë e kishin njoftuar Policinë dhe departamentin për raste kibernetike.

“M’i kanë bllokuar të dy llogaritë në Facebook dhe kanë publikuar incizime të mia për disa gjëra që kanë ndodhë. Edhe kësaj here dy javë para zgjedhjeve është bërë e njëjta gjë. E di që kjo nuk do të ndalojë dhe do të ndodhë edhe në të ardhmen për shkak se nuk i nënshtrohemi një mendësie diktotariale që disa persona synojnë të instalojnë.” – tregoi Rashiq.

Rashiq i ka lutur qytetarët që do të votojnë të dielën, më 12.10.2025, që i kanë dokumentet e Kosovës por për ndonjë arsye nuk jetojnë këtu, që të mos vijnë për ndonjë mëditje.

“Mos ia shitni shpirtin dreqit për 50 euro, për arsye se ato 50 euro që ju i merrni, katër vitet e ardhshme për ne do të thotë- gjak, djersë dhe kushte të vështira. Për atë arsye ju lus që nëse vini këtu që ta votoni Listën Serbe, për 50 euro të mos vini fare, përndryshe për çdo ditë jeni të mirëseardhur të vini… Mos ia shkatërroni jetën atyre që duan të jetojnë këtu” – shtoi ai./Kallxo.com

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here