Milot Rashicës nuk i është nevojitur shumë kohë për t’u shndërruar në njërin prej lojtarëve kryesorë te skuadra e Norwich Cityt. Në fakt, Rashica po vlerësohet shumë te skuadra angleze po lufton për të siguruar mbetjen në Premier League edhe për sezonin e ardhshëm, ka shkruar të mërkurën “The Athletic”. Te Norwichi po shpresojnë që Rashica mos të lëndohet deri në muajin maj kur përfundon sezoni pasi të gjitha shpresat e ekipit për mbijetesë varen prej Rashicës. Vrapimi i tij i fuqishëm, driblimet unike dhe ndihma në mbrojtje që po e bën, janë vetëm disa nga tiparet pozitive të reprezentuesit te Kosovës.
“Një nga përmirësimet e dukshme këtë sezon te Rashica është puna në mbrojtje që ai po e ofron. Po ashtu, ai ka edhe vrapim të fuqishëm dhe me lehtësi po i kalon lojtarët duke e ndihmuar Norwichin shumë edhe në sulm. Kjo e bën Rashicën ndoshta anëtarin më të vlefshëm të grupit; ai që duhet të qëndrojë në formë deri në maj për ta ndihmuar Norwichin në arritjen e synimit”, ka shkruar “The Athletic”.
Sulmuesi 25-vjeçar iu bashkua Norwichit para fillimit të këtij edicioni nga Werder Bremeni për 11 milionë euro dhe firmosi kontratë deri në vitin 2025. Rashica ende nuk ka shënuar gol në Premier League, por ka dhënë dy asistime në 18 ndeshje të luajtura deri më tani. Në të vërtetë, ai ka një gol të shënuar në kuadër të Kupës FA dhe në total për Norwichin ka 21 paraqitje në të gjitha garat. Rashica po ka ndikim edhe në ndeshjet e Norwichit dhe tifozët e skuadrës tashmë i kanë kushtuar këngë atij. Te Norwichi presin shumë prej Rashicës deri në fund të sezonit, i cili nuk do të jetë aspak lehtë për ekipin e rikthyer këtë edicion në elitën e futbollit anglez.





