Një fëmijë 4-vjeçar është raportuar i zhdukur në Prizren, pasi ishte larguar nga shtëpia dhe familja nuk kishte informacione për vendndodhjen e tij, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar më 22 qershor, rreth orës 16:05, në Stacionin Policor në Prizren, nga nëna e fëmijës.
Ajo ka deklaruar se djali i saj ishte larguar nga shtëpia rreth orës 13:05, në rrugën “Besnik Belloda”, dhe se përkundër kërkimeve te familjarët, nuk kishte arritur ta gjente.
Pas raportimit, janë njoftuar hetuesit policorë dhe patrullat në teren, të cilat kanë nisur kërkimet në bazë të përshkrimit të fëmijës.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti si “Person i zhdukur”.
Burimet bëjnë të ditur se rreth orës 18:05, nëna është paraqitur sërish në Polici bashkë me fëmijën, duke njoftuar se e kishte gjetur në sheshin “Shatërvan”.
Fëmija nuk kishte lëndime të dukshme dhe ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas dhënies së deklaratës, nëna bashkë me fëmijën janë larguar për në shtëpi.