Komisioni prej 6 anëtarësh ka arritur në përfundim se duhet të mbyllen disa sektorë për vizitorë, pasi paraqesin rrezik. Deri në këtë gjendje është konstatuar se Kalaja e Prizrenit ka ardhur si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes. Në fund të muajit të kaluar, Ministria e Kulturës ka njoftuar se disa zona të Kalasë janë mbyllur për vizitorë për shkak të rrezikut që paraqesin. “Nga vëzhgimet e kryera është konstatuar se shumë prej strukturave brenda kalasë, veçanërisht muret rrethuese, nuk kanë pasur mirëmbajtje për një kohë të gjatë dhe në disa sektorë janë shfaqur probleme serioze strukturore që kërkojnë ndërhyrje emergjente”, shkruhet në raport.
Në një raport prej tri faqesh për Kalanë e Prizrenit, komisioni që e ka hartuar atë ka përdorur plot 14 herë fjalën “rrezik”. Komisioni prej 6 anëtarësh ka arritur në përfundim se duhet të mbyllen disa sektorë për vizitorë, pasi paraqesin rrezik. Deri në këtë gjendje është konstatuar se monumenti ka ardhur si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes. Në fund të muajit të kaluar, Ministria e Kulturës ka njoftuar se disa zona të Kalasë janë mbyllur për vizitorë për shkak të rrezikut që paraqesin. KOHA prej atëherë ka kërkuar sqarime shtesë dhe raportin mbi të cilin është marrë vendimi. Me vonesë prej tri javësh, Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës kanë ofruar sqarimet dhe raportin.
Qysh në fjalinë e parë të raportit të hartuar nga komisioni theksohet mungesa e mirëmbajtjes. “Nga vëzhgimet e kryera është konstatuar se shumë prej strukturave brenda kalasë, veçanërisht muret rrethuese, nuk kanë pasur mirëmbajtje për një kohë të gjatë dhe në disa sektorë janë shfaqur probleme serioze strukturore që kërkojnë ndërhyrje emergjente”, shkruhet në raport. Sipas të dhënave të ofruara nga Instituti Arkeologjik, mirëmbajtja e strukturave ka munguar që nga viti 2016.
Sipas raportit të hartuar nga Veron Tara, Caner Tatar, Elvis Shala, Sara Sylejmani, Jusuf Xhibo dhe Besar Grazhda, jepen të dhëna se në muret e larta rrethuese është vërejtur që llaçi lidhës me bazë gëlqereje ka humbur në masë të madhe qëndrueshmërinë e tij, për shkak të ndikimeve atmosferike dhe depërtimit të ujit në brendësi të murit nga pika të ndryshme. Si pasojë, janë shtuar zbrazëtirat në faqet e murit, janë krijuar humbje materiali në mbushjet e brendshme dhe në disa zona janë evidentuar rënie gurësh. Është konstatuar se hapësirat e krijuara kanë shkaktuar shembje të pjesshme në disa segmente dhe se procesi i degradimit është në zhvillim.
“Humbja e fugave është e pranishme edhe në tunelet, specifikisht në pjesën e sipërme të tyre, gjë që rrezikon shembjen e gurëve dhe rrezikimin e jetës së vizitorëve, si dhe degradimin e mëtejshëm të strukturave”, shkruhet në dokumentin e protokolluar më 24 prill të këtij viti. Sipas komisionit, kjo gjendje paraqet rrezik të menjëhershëm si për integritetin e strukturës, ashtu edhe për sigurinë e vizitorëve, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen pa vonesë. Kanë arritur në përfundim se është me rëndësi që shtresa mbrojtëse e njohur si “kapelë”, e vendosur në pjesën e sipërme të mureve dhe që ndalon depërtimin e ujit në strukturë, të kontrollohet në mënyrë të detajuar për të identifikuar rrjedhje të mundshme.
“Në strukturat e tjera arkeologjike brenda kalasë janë vërejtur dobësime të materialit origjinal, si dhe dëmtime të shkaktuara nga rrënjët e bimëve, formacionet biologjike dhe lagështia. Këta faktorë kanë çuar në humbje të fugave, rënie gurësh dhe, në disa raste, në humbje të integritetit strukturor. Çarjet e konstatuara në shtresat mbrojtëse (kapelë) lejojnë depërtimin e ujit në strukturë, duke rritur rrezikun e dëmtimeve si pasojë e cikleve ngrirje-shkrirje”, shkruhet në raport. Është cekur se në shumicën e strukturave të Kalasë së Prizrenit është e pranishme lagështia dhe dëmtimi nga uji, për të cilat duhet detyrimisht të bëhen ndërhyrje për eliminimin e lagështisë.
Në këtë dokument trajtohet edhe çështja e rezervuarit të ujit, që daton nga viti 1939. Ky rezervuar ka shkaktuar probleme edhe në të kaluarën, përfshirë shembje të mureve të monumentit. Është kërkuar vazhdimisht dislokimi i tij. Për këtë çështje, Ministria e Kulturës javën e kaluar është marrë vesh me Kompaninë e Ujësjellësit në Prizren.
“Dëmtimet strukturore dhe rrjedhjet e vazhdueshme të kohëve të fundit kanë krijuar një situatë kritike brenda mureve të Kalasë së Prizrenit. Depërtimi i pakontrolluar i ujit në themelet e këtij monumenti historik po rrezikon seriozisht integritetin e tij, duke e shndërruar zhvendosjen e rezervuarit në një prioritet urgjent për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, shkruhet në raport.
Komisioni ka rekomanduar ndërhyrje urgjente. “Sigurimi i segmenteve murale të dobësuara përmes mbështetjeve të përkohshme; pastrimi i fugave të zbrazëta dhe plotësimi i tyre me llaç origjinal; kufizimi i menjëhershëm i qasjes së vizitorëve në zonat që paraqesin rrezik; planifikimi urgjent i një programi të plotë konservimi dhe restaurimi; vendosja e rrethojave metalike si masa të përkohshme për mbrojtjen e vizitorëve; vendosja e kamerave të sigurisë, ndriçimi dhe shenjëzimi i rrezikut”, shkruhet në raportin e hartuar nga punonjësit e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.
Ata kanë vlerësuar se proceset e degradimit të konstatuara në Kalanë e Prizrenit kanë karakter progresiv dhe se vonesa e ndërhyrjeve mund të sjellë humbje më të mëdha strukturore. Sipas dokumentit, për këtë arsye është thelbësore që në zonat përkatëse të fillojnë sa më parë punimet emergjente të mbrojtjes dhe stabilizimit.
“Gjithashtu rekomandohet që kalaja të përfshihet në një program të rregullt mirëmbajtjeje dhe të monitorohet në intervale të përcaktuara, me qëllim parandalimin e përsëritjes së problemeve të ngjashme”, shkruhet në raport, ku propozohet krijimi i një ekipi të zgjeruar për hartimin e projektit të konservimit, me përfaqësues nga IAK, IKMM, QRTK Prizren dhe palë të tjera të interesit.
Më pas janë dhënë edhe rekomandime për kufizimin e qasjes së vizitorëve në pjesët e dëmtuara të Kalasë, për ndërhyrje emergjente, punime në sanimin e dëmtimeve dhe plan për monitorimin e gjendjes dhe mirëmbajtjen sistematike të Kalasë dhe rrethit të ngushtë të saj.
Në përgjigjet që i ka dhënë Instituti Arkeologjik i Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës – pasi Ministria ka centralizuar komunikimin e institucioneve qendrore me publikun – thuhet se përgjegjësia për këtë gjendje lidhet me mungesën e mirëmbajtjes së vazhdueshme ndër vite, “pasi që nga viti 2016 nuk është realizuar asnjë intervenim i rregullt për mirëmbajtjen e Kalasë, gjë shumë e nevojshme për një lokalitet arkeologjik”.
Sipas IKA-së, faktorët kohë dhe njeri kanë ndikuar drejtpërdrejt në degradim, prandaj mirëmbajtja e vazhdueshme është thelbësore për ruajtjen afatgjatë të monumentit. Në përgjigjet e institucionit që udhëhiqet nga ushtruesja e detyrës së drejtores, arkeologia Zana Rama, thuhet se gjatë dy vjetëve të fundit disa herë është shpallur tenderi për masa emergjente për Kalanë e Prizrenit, por nuk është arritur kontraktimi i asnjë kompanie për shkak të mosplotësimit të procedurave dhe kritereve të nevojshme. KOHA ka raportuar se asnjë kompani nuk ka qenë e interesuar të merret me këtë punë.
“Aktualisht, jemi në përfundim të procedurave për mënjanimin e rrezikut, si për vizitorët ashtu edhe për strukturat e Kalasë. Pas kësaj do të vazhdohet me projektin e plotë të restaurimit dhe konservimit adekuat të Kalasë së Prizrenit”, thuhet ndër të tjera në përgjigjet e IKA-së.
Raporti dhe vetë IAK-u përmendin mungesën e investimeve. Por për një kritikë të tillë publike, një punonjës i IAK-ut është përballur me procedurë disiplinore nga Ministria e Kulturës.
KOHA ka raportuar se plani i menaxhimit, i miratuar në fund të vitit 2020, ka qenë pesëvjeçar. Ministria e Kulturës nuk i është përmbajtur këtij plani në plotësinë e tij dhe monumenti ka arritur në gjendjen që të mbyllet në disa pjesë.
Kalaja e Prizrenit, ende pa u futur brenda rrethojës, shihet se është një lokalitet i braktisur. Në cilindo drejtim që nisen vizitorët, nuk marrin informacion. Tabelat informuese janë dëmtuar nga koha dhe shërbejnë vetëm si pamje të shëmtuara që dëshmojnë moskujdesin institucional. Shtigjet e drunjta kanë degraduar deri në atë masë sa rrezikojnë vizitorët. Janë riparuar pjesërisht me dërrasa, por kjo është një zgjidhje e përkohshme që e ka shëmtuar hapësirën dhe vetëm pak e ka rritur sigurinë. Vitet e fundit, ky aset dhe shumë të tjera shpesh kanë mbetur pa roje dhe pa mirëmbajtje, duke u lënë në harresë nga shteti.
Në vitin 2014, në monument janë investuar 700 mijë dollarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përkatësisht nga Fondi i Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore. Bëhet fjalë për një monument që gjatë muajve të verës, sipas të dhënave institucionale, vizitohet nga deri në 5 mijë vizitorë në ditë.
Ministria e Kulturës nuk ka arritur që, as në dy tentime, ta pajisë Kalanë e Prizrenit me ciceronë, pasi i ka anuluar konkurset vitin e kaluar dhe sivjet. Në bazë të Ligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, për këtë aset janë ndarë 85 mijë euro si vazhdim i vitit të kaluar, pa shtesa të reja. Deri sivjet, sipas këtij ligji, aty janë shpenzuar 1 milion e 117 mijë euro./KOHA