Në Raportin e Progresit për vitin 2025 i cili është miratuar nga Komisioni Europian theksohet se numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë ka vazhduar të bie, edhe pse është vërejtur një rritje e lehtë në regjistrimet për nivelin parashkollor.
Sipas këtij Raporti, vajzat përbëjnë 48.4% të të gjithë nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët.
Raporti i BE-së përmend se pavarësisht disa përparimeve në forcimin e arsimit dhe promovimin e gjithëpërfshirjes, fëmijët me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mos kenë mbështetje të mjaftueshme, e cila ndikon në rreth 8% të fëmijëve të moshës 2–17 vjeç.
Vetëm 31% thuhet se është pjesëmarrja e fëmijëve të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë në arsimin e mesëm të lartë në Kosovë.
“Shumë Qendra Mësimore, të cilat ofrojnë mbështetje shtesë arsimore dhe psiko-sociale për fëmijët e këtyre komuniteteve, janë mbyllur për shkak të mungesës së mbështetjes financiare dhe institucionale.” – thuhet në Raportin e Progresit për vitin 2025.
Njëjtë si vitin e kaluar, edhe këtë vit, Raporti i BE-së ia rikujtuar Kosovës rezultatet e testit PISA, më 2022. Sipas rezultateve në këtë test, një nxënës 15-vjeçar në Kosovë është pothuajse 4.5 vite mësimi mbrapa krahasuar me bashkëmoshatarët në BE.
BE-ja ka kujtuar gjithashtu se u miratuan tekste të reja mësimore për gjuhën shqipe dhe matematikën për nxënësit e klasave 1-9 për vitin shkollor 2024-2025, ndërsa ka një ligj të ri për tekstet mësimore që mbetet për t’u miratuar.
BE-ja ka përmendur lansimin e provimit për licencë të avancuar dhe investimin në trajnimin e mësimdhënësve që iu nënshturuan provimit.
Edhe pse, provimit për licencë të avancuar iu nënshtruan më shumë se 150 mësimdhënës nga përafërsisht 22,000 që i kishte Kosova në vitin 2024, vetëm 7 prej tyre morën licencë.
“Përparimi ka ngecur në integrimin e modelit të sigurimit të cilësisë të udhëhequr nga kolegët, të zhvilluar nga BE-ja, në sistemin kombëtar. Edhe pse disa komuna ende e zbatojnë këtë model, zbatimi i tij në shkallë më të gjerë është vonuar për shkak të futjes së legjislacionit të ri për licencimin e mësuesve.” – kanë shtuar nga BE-ja në Raport.
Ky raport i ka kushtuar vëmendje edhe 12 profileve të arsimit dhe trajnimit profesional, pra të arsimit dual që u pilotua dy vitet e fundit dhe vazhdon të zbatohet.





